Këtë të premte është duke u zhvilluar seanca e radhës për tragjedinë e Gërdecit. Në gjykatë janë paraqitur 7 dëshmitarë për tu pyetur, ku një prej tyre është edhe Saje Çiku, i punësuar asoj kohe në fabrikën e armëve. Në dëshminë e tij Çiku ka pohuar se ai nuk ishte trajnuar për të punuar me predhat dhe personi që e punësoi ishte Feriz Muça. Gjithashtu ai tregoi se në fabrikën e armëve punoi për një periudhë kohe prej 4 muajsh edhe djali i tij, 17 vjeçar.
Sa i përket ditës kur ndodhi shpërthimi më 15 mars 2008, Çiku tha se ndodhej brenda në ndërtesë, mirëpo nuk kishte parë flakë.
“Kam qenë i punësuar tek fishekët në qershor të vitit 2007. Në shkurt 2008 nisa te predhat. Më punësoi Feriz Muza, merresha me mbushjen e arkave me fishekë. Unë laja predhat. Feriz Muça ishte përgjegjës. Nuk kishte makinëri për predhat dhe nuk kam bërë trajnim për punën që bëja. Ishe vakt dreke kur ndodhi shpërthimi. Përdoreshin karroca për transportimin e materialeve. Kam dëgjuar se saldoheshin karrocat se di se kush i saldonte. Nuk kishte mjete për fikjen e zjarrit. Jam pyetur edhe më parë për këtë çështje.
Në 2007 nuk kam parë asnjëherë zjarr, grupi jonë nuk ka patur karroca të dëmtuara. 1 karrocë kishim të gjithën si grup. Ishim brenda në ndërtesë kur ndodhi shpërthimi. Nuk e di nga doli flaka, vetëm ika me vrap. U dogja pak në kokë, të flokët dhe në këmbë. Fjali im 17 vjeç, punoi 4 muaj në fabrikë, shefi im ishte Dritani”, ka thënë ai.
Kujtojmë që shpërthimi në Gërdec ndodhi më 15 mars (e shtunë) 2008, rreth orës 12:05 dhe nga shpërthimi humbën jetën të paktën 26 persona. Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, dha dorëheqjen pak ditë mbas tragjedisë.
Ai nuk pranoi se kishte përgjegjësi për shpërthimin ose ndonjë lidhje korruptive në tregtinë e armëve dhe u shpreh se dorëheqja nga posti ministror ishte një “…përgjegjësi morale.”
GJKKO më herët pranoi kërkesën e SPAK për të marrë në pyetje 71 dëshmitarë në gjyqin ndaj Fatmir Mediut, pavarësisht se mbrojtja e ish-ministrit kërkoi 90 dëshmitarë, ku përfshiheshin dhe personalitete të huaja. Më 18 shator të këtij viti dhanë dëshminë e tyre njëmbëdhjetë dëshmitarët e parë, të cilët treguan se si ishin punësuar dhe përshkruan ngjarjen tragjike.
Mediu akuzohet për dy akuza të lidhura me “Shpërdorimin e detyrës” kryer në bashkëpunim. Vepra e parë penale për të cilën ish-ministri i Mbrojtjes akuzohet, është ajo “Shpërdorimi i detyrës”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal, si dhe për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues, parashikuar në nenet 70/2 e 2 të Kodit Penal Ushtarak dhe neni 25 i Kodit Penal.