Do t’i hiqte magjinë gruas në Mat me kaçavidë, flet “shehi”: ‘Rituali’ për qetësi shpirtërore

Policia në Mat, tha zyrtarisht të martën, se pas informacioneve që kishte siguruar se një 48-vjeçar dhunonte bashkëjetuesen 33-vjeçare si fizikisht ashtu dhe psikologjikisht, ndërhyri dhe e arrestoi, ndërsa në banesë i gjeti 380 fishekë pa leje. Sipas policisë, gruaja kishte pësuar dëmtime të shëndetit mendor, dhe pa e ditur se dhunohej nga burri, familja e vajzës e kishte trajtuar me mjekim në spitalin psikiatrik në Tiranë.

I vënë në presionin e familjarëve se përse 33-vjeçarja kishte përfunduar në këtë gjendje, burri, Dario Bruçi, pretendoi se asaj i kanë bërë magji, dhe për këtë kontaktoi dhe pagoi një 37-vjeçar nga Kosova, i cili erdhi në banesë për ta shëruar, një ritual në të cilin sipas një video të publikuar nga policia, përdor edhe një kaçavidë me të cilën e godet gruan në trup. Kosovari, Kujtim Popaj u vu në hetim në gjendje të lirë nga policia për mashtrim. Por në një rrëfim për Report Tv, Kujtim Popaj thotë se nuk është mjek magjie, por e prezanton veten “ambasador diplomatik dhe mban titullin e nderuar Shejh në mesin e 12 Tarikateve”.

“Misioni i jetës sime përcillet rreth përdorimit të emrit hyjnor të Allahut për të nxitur shërimin dhe mirëqenien mes atyre në nevojë. Ky person më ka kontaktuar përmes rrjetit social Facebook në datën 3 qershor 2022 me kërkesën për të biseduar me mua përmes thirrjes. Gjatë bisedës ai më ka njoftuar se gruaja e tij nuk ndihet mirë dhe se ka probleme ku edhe më ka dërguar disa video duke thënë: Shiko si është gjendja në familjen time dhe gruan time. Ai ka hezituar që të vijë tek Teqja ime në Kosovë dhe më ka bërë kërkesë të veçantë që t’i vizitoj në Shqipëri. Unë kam shkuar atje vetëm një herë dhe kam punuar me lutjet e mia fetare të cilat çdo person i cili është në këtë rrugë i kupton dhe i njeh. Puna ime ka pasur të bëjë vetëm me gjendjen shpirtërore dhe emocionale të gruas së personit në fjalë dhe nuk kam parë ndonjë shenjë dhune apo edhe nuk më ka njoftuar gruaja e tij përmes bisedës se diçka e tillë ka ndodhur”, thotë ai për Report Tv.

Mjeti i paraqitur në video është një pjesë e një procesi shpirtëror që përdoret për të pastruar shpirtin nga energjia negative dhe për të ofruar ngushëllim dhe qetësi për individët e prekur nga sihr (vuajtje shpirtërore). Ky proces është i rrënjosur thellë në besim dhe mirëqenie shpirtërore, duke synuar të ndihmojë ata që kanë nevojë të gjejnë paqe dhe shërim. Nuk shoqërohet me dhunë apo dëmtim në asnjë mënyrë”, thotë ai.

Të Fundit