Dje dhunoi rëndë një person, sot i shkrumbojnë 5700 bimë kanabisi! Në pranga 42-vjeçari

5700 bimë kanabisi janë asgjësuar përmes djegies sot në fshatin Zimaj të Lezhës. Policia bën me dije se është vënë në pranga autori i kultivimit të këtyre bimëve i cili po ashtu dyshohet se ditën e Enjte ka dhunuar rëndë një person pas një sherri.

“Në kuadër të megaoperacionit policor antikanabis të koduar “Imazhi”, vijojnë veprimet hetimore dhe kontrollet në terren, kundër kultivimit të bimëve narkotike. Finalizohet faza e 25-të e këtij megaoperacioni, gjatë së cilës gjenden në fshatin Zimaj dhe asgjësohen nëpërmjet djegies, 5700 bimë narkotike cannabis sativa. Identifikohet dhe vihet në pranga autori i dyshuar i kultivimit të 5700 bimëve narkotike. I arrestuari dyshohet gjithashtu se ditën e djeshme, ka dhunuar rëndë fizikisht një shtetas, gjatë një konflikti të çastit, ndërmjet tyre.

Si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore dhe i kontrolleve në të gjithë territorin e qarkut, për goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, si dhe për përcaktimin e autorësisë së tyre, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lezhë kanë organizuar dhe finalizuar fazën e 25- të të megaoperacionit policor të koduar “Imazhi”. Gjithashtu, u identifikua dhe u vu në pranga autori i dyshuar i këtij rasti kultivimi, shtetasi B. Z., 42 vjeç, banues në fshatin Ungrej, Lezhë.

Në vijim, dyshohet gjithashtu se ditën e djeshme, 42-vjeçari ka dhunuar rëndë fizikisht, një shtetas tjetër, gjatë një konflikti të çastit ndërmjet tyre. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Plagosja e rëndë me dashje“, bën me dije policia.

Të Fundit