Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja foli sot për vendimet e qeverisë. Manja njoftoi se qeveria ka miratuar vendimin për kompensimin e pronave,
Ministri tha se pronat do t’i kthehen ish-pronarëve ashtu siç e kanë pasur në momentin kur i është konfiskuar nga shteti.
Ndërsa për ato ish-pronarë, prona e të cilëve është zënë me ndërtime informale apo që do të përdoren për interes publik do të ketë një masë dëmshpërblimi financiar, sipas asaj metodologjie dhe udhëzimi që është certifikuar nga Gjykata e Strasburgut dhe Gjykata Kushtetuese
“Sot, me propozim të Ministrisë së Drejtësisë, kemi kaluar dy vendime të rëndësishme në Këshillin e Ministrave dhe që përfundimisht, i hapin rrugë zgjidhjes përfundimtare të proçesit të kompensimit të pronave në Republikën e Shqipërisë.
Ju e dini që para pak kohësh, ne në Kuvend miratuam disa ndryshime që kishin të bënin me ligjin për trajtimit të pronës dhe me këto dy vendime sot, ne kompletojmë të gjithë paketën e akteve nën ligjore në zbatim të këtij ligji dhe tashmë, proçesi i kompensimit, i njohjes së të drejtës së pronës dhe i shpërblimit financiar për ata që do të kompensohen, nuk ka asnjë pengesë ligjore.
Me këto dy vendime, çdo ish-pronar që ka një kërkesë në Agjencinë e Trajtimit të Pronave, ose do të bëjë kërkesë për njohjen e të drejtës së pronës dhe prona është e lirë, i kthehet fizikisht, siç e kanë pasur në momentin kur u është konfiskuar nga shteti. Pra, prona e lirë e ish-pronarëve kthehet pa kufizim, ndërsa ato ish-pronarë, prona e të cilëve është zënë me ndërtime informale apo që do të përdoren për interes publik, sigurisht që do të ketë një masë dëmshpërblimi financiar, sipas asaj metodologjie dhe udhëzimi që është certifikuar nga Gjykata e Strasburgut dhe Gjykata Kushtetuese. Janë dy vendime të rëndësishme, që përfundimisht konsolidojnë skemën e kompensimit të pronave në Shqipëri”, tha Manja.