Pasoja katastrofike lanë pas përmbytjet e dy ditëve më parë, që autoritetet italiane i krahasojnë me pasojat e një tërmeti të fuqishëm.
Dy të moshuar u gjetën të vdekur këtë të enjte në apartamentin e tyre në Ravenata. Bilanci i viktimave ka arritur në 13 gjithsej. Mijëra persona janë të evakuuarve, 10 mijë të tjerë llogariten si të pastrehë dhe më shumë se 27 mijë banorë mbeten ende pa energji elektrike në Emilia Romanian, e gjunjëzuar nga katastrofa.
Kostot e dëmeve janë të mëdha dhe autoritetet i përllogarisin në disa miliardë euro. Përmbytjet goditën 37 qyteza dhe vendbanime, ku u regjistruan të paktën 120 rrëshqitje të tokës. Dalja nga shtrati i 20 lumenjve ka përmbytur mijëra hektarë tokë bujqësore.
Zyrtarët e ministrisë për emergjencat thanë se brenda 36 orëve ranë 500 milimetra shi. Kjo është gjysma e sasisë që bie gjithë vitin në rajonin e Emilia Romanjës. Qeveria do të shpallë së shpejti gjendjen e jashtëzakonshme dhe do t’i drejtohet Brukselit për krijimin e një fondi solidariteti si ndihmë për përballimin e këtyre e dëmeve katrastrofike.