Hebrenjtë ultra-ortodoksë, Moshe Gafni dhe Yaakov Asher, po kërkojnë ndalimin e “përhapjes së ideologjisë të krishterë” në Izrael.
Edhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu nuk e di se në cilin drejtim po shkon qeveria e tij. Vendimet që ata marrin çdo ditë mahnitin jo vetëm palestinezët dhe komunitetin ndërkombëtar, por edhe religjionet e tjera.
I fundit është projektligji i dorëzuar në Knesset (Parlamenti i Izraelit) nga dy përfaqësues të partisë ultra-ortodokse United Torah Judaism, Moshe Gafni dhe Yaakov Asher, të cilët kërkojnë ndalimin e “përhapjes së ideologjisë të krishterë” dhe “të folurit për besimin e krishterë në Izrael”.
Siç shkruan portali izraelit, All Israel News, sipas propozimit të atij ligji, “kushdo që flet për besimin e krishterë dhe bën thirrje për të, duhet të shkojë në burg për tre vjet”. Ky projektligj sigurisht që do të shkaktojë kokëçarje për kryeministrin Netanyahu për shkak të një konflikti të rrezikshëm me të krishterët ungjillorë në SHBA dhe në mbarë botën, të cilët janë ndër mbështetësit më të mëdhenj të shtetit izraelit”, shkruan portali.
Sipas All Israel News, dy ligjvënës izraelitë duan të ndalojnë të krishterët të shpjegojnë pse besojnë se Jezusi është Krishti dhe Zot në të njëjtën kohë.
Vitet e fundit, janë përshkallëzuar sulmet e kolonëve izraelitë ndaj pronave dhe faltoreve të kishës, më e fundit prej të cilave ishte sulmi ndaj Kishës së Gjetsemanit, “Kisha e të Gjithë Kombeve”, si dhe ngacmimi i të krishterëve që praktikonin ritualet e tyre.