Presidenti Bajram Begaj gjatë takimit në Bruksel me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoletenberg kërkoi shtimin e pranisë së aleancës ushtarake në Shqipëri dhe në Ballkan.
“Qeveria shqiptare mirëpret një prezencë detare të NATO-s në portin e ri në Porto Romano. Ky port baze detare siguron prezencë detare për Aleancën në rajonin Adriatiko-Jonian. Kjo ndihmon në rritjen e shpejtësisë dhe lëvizshmërisë së Aleancës në krahun lindor dhe Ballkanin Perëndimor”.
Projekti për bazë detare të NATO-s në Porto Romano iu paraqit muaj më parë nga kryeministri Edi Rama gjatë takimi që pati shefin e Aleancës, Stoltenberg. Nga ana e tij kreu i Aleancës, Stoltenberg e cilësoi Shqipërinë si aleat të vyer që ka luajtur rol aktiv në NATO.
“Shqipëria luan një rol me rëndësishëm për stabilitetin e bashkëpunimin në Ballkanin Perëndimor, i cili është një rajon strategjik për NATO-s. Po investojmë gjithashtu në bazën ajrore të Kuçovës që do të rrisë sigurinë e hapësirës tuaj ajrore”.
Sulmet kibernetike nga Irani ka qenë një nga çështjet e tjera të diskutuara ndërmjet Begajt dhe Stoltenberg.
“Edhe NATO është angazhuar nga ana e saj ndaj Shqipërisë. Aleatët ishin përkrah jush pas sulmeve kibernetike të vitit 2022.Ekspertët e NATO ofruan mbështetje urgjente. NATO mbetet e angazhuar për stabilitetin e sigurisë në Ballkanin Perëndimor. Ne jemi krah jush”, tha Stoltenberg.
“Shqipëria në bashkëpunim të ngushtë me partnerët strategjikë dhe NATO-n, arriti ta ndërpresë dhe të rikuperohet nga ky sulm. Qeveria shqiptare ka një plan ambicioz për forcimin e kapaciteteve dixhitale dhe mbrojtëse kibernetike. Bashkëpunimi me NATO-n në këtë drejtim vlerësohet maksimalisht”, tha Begaj.
Presidenti Bajram Begaj edhe pse e cilësoi si histori suksesi praninë e KFOR-it, kërkoi anëtarësimin e Kosovës në NATO, duke theksuar se Rusia përbën kërcënim domethënës dhe direkt ndaj NATO-s dhe Ballkanit Perëndimor.
“Në këtë kontekst është në bindjen time se është më se e justifikueshme për ta konsideruar anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Aleancën Euro-Atlantike. Ka një prani të konsiderueshme të NATO në Kosovë nëpërmjet KFOR. NATO do të vazhdojë të lehtësojë dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Tani kemi mundësi historike që mund të jetë me përfitim për rajonin dhe është e rëndësishme që palët të tregojnë fleksibilitet për kompromis dhe të gjejnë një zgjidhje përfundimtare”.
Stoltenberg ka vlerësuar rolin e Shqipërisë në NATO, ratifikimin e shpejtë të protokollit të anëtarësimit të Suedisë e Finlandës, si dhe kontributin e vendit tonë pro Ukrainës kundër agresionit rus.