Shoferi i makinës së parë është larguar nga vendi i ngjarjes, pranë urës së ish-bllokut ku ndodhi aksidenti në Tiranë ku të paktën 5 makina u përfshinë në aksident, së bashku me autobusin e Unazës.
Ai ka dhënë një prononcim për mediat ku është shprehur se autobusi e ka goditur nga mbrapa kur ishte i ndaluar në semafor të kuq. Drejtuesi i makinës thotë se nuk e di se çfarë do të kishte ndodhur nëse ai nuk do të kishte frenuar në momentin kur është goditur nga autobusi.
Shoferi: Quhem Ilir, isha vetëm në automjet. Nuk di si të jua them çfarë ndodhi. Ndodhi shumë shpejt, dëgjova zhurma, isha me semafor të kuq i ndaluar. Autobusi më goditi nga pas, nuk e di se çfarë do të kishte ndodhur po të mos kisha frenuar. Nuk kishte makina para meje. Unë mbaj mend që zhurmat erdhën nga mbrapa. Autobusi ishte në ecje, ishte shpejt. Momentin e goditjes dolëm dhe mora pak veten sepse nuk e kuptova se çfarë ndodhi. Mesa pashë unë kishte shumë njerëz të lënduar. Shërbimi i urgjencës erdhi. Shoferi i autobusit ishte i tronditur, ishte tek të 60-at. Ai ishte i shokuar.
Si pasojë e aksidentit, 6 qytetarë pësuan lëndime dhe u dërguan në spital. Fatmirësisht gjendja e tyre është jashtë rrezikut për jetën.