Bekim Memeti është i dënuari i dyshuar, i cili u arratis gjatë transportimit burgu i sigurisë së lartë Idrizova në spitalin “Nënë Tereza” në Maqedoninë e Veriut.
I arratisuri, i cili rezulton i dënuar gjashtë vite më parë me 40 vjet burg për vrasje, mësohet se kishte planifikuar në detaje arratisjen e tij. Dyshohet se ai është ndihmuar nga persona brenda burgut për të inskenuar arratisjen, si edhe nga persona të tjerë në vendin e ngjarjes që bënë të mundur largimin e tij me një automjet tip Audi.
Sipas mediave maqedonase, i dënuar i ka shkaktuar lëndime vetes dhe ka kërkuar transportimin në spital për mjekim të specializuar.
Gjatë dërgimi në spital persona të armatosur i kanë bërë pritë furgonit të burgjeve ku ndodhej Bekim Memeti. Më pas ky i fundit ka arritur t’i marrë armën shoferit të mjetit dhe ka qëlluar me armë zjarri, duke e plagosur.
Efektivi i burgjeve H.I., është dërguar në spital për mjekim të specializuar, ndërsa s’dihen detaje mbi gjendjen e tij shëndetësore.
Personat e armatosur dyshohet se e dinin saktësisht se kur do të dërgohej i burgosuri në spital, e njihnin mjetin dhe dyshohet se kishin të dhëna shtesë se sa ishte numri i policëve që do të transportonin të Bekim Memetin, si edhe intinerarin e lëvizjes.
Vrasja për të cilën është dënuar i arratisuri ndodhi në Reçicë e Vogël në vitin 2016. Ai u dënua në mungesë dhe në vitin 2020 u arrestua në Berlin të Gjermanisë dhe më pas u ekstradua.
Krimi ndodhi në shtator të vitit 2016, në rrugën 188 në Reçicë e Vogël pas një debati mes dy grupeve.
Në sherr ishin përfshirë shtetasit me iniciale A.B. (33) dhe B.M. (30) nga njëra anë dhe H.M. (37), M. H. (34) dhe H.K. (39) të gjithë nga Tetova.
Bekim Memeti filloi të qëllonte me armë zjarri në drejtim të H.M., i cili ndërroi jetë në vendngjarje, ndërsa M.H. dhe H.K. mbetën të plagosur.
Ende mbetet e paqartë dinamika dhe rrjeti që e ka ndihmuar Bekim Memetin për tu arratisur, ndihmesa e mundshme që i është dhënë nga persona të tjerë nga jashtë, ndërkohë që hetimet do të shtrihen tashmë edhe në dy pista, raporton Alsat.
Për profile si të Memeit, burgu i Idrizovës ka kërkuar gjithnjë ndihmë dhe shoqërim nga njësitë speciale, kjo bëhet thuajse për cilindo të dënuar me mbi 10 vjet burg, por për të arratisur burgu nuk ka kërkuar ndihmë.
Përveç hetimit të brendshëm nga drejtoria e burgjeve, hetim pritet të ngrejë për përgjegjësi edhe Ministria e Brendshme. Sipas informacioneve të Alsat, burgu nuk ka dërguar kërkesë pranë MPB-së për ndihmë të shoqërimit të të dënuarit, duke ngritur edhe dyshimet për inskenim të rastit.