FOTO/ Arrestimi i nënë e bir, sekuestrohen 405 mijë euro dhe 8500 dollarë në banesë

Rreth 405 mijë euro, 8500 dollarë dhe aksesorë floriri janë gjetur në banesën e sanitares Rozeta Dobi dhe djalit të saj Havier Dobi, pas një kontrolli të ushtruar nga forcat e policisë.

Kontrolli u krye në vijim të operacionit policor të koduar “Inside”, nisur nga dyshimet e krijuara, mbi shumën 120 mijë euro të vjedhur në një banesë në “Rrugën e Kosovarëve”

Shërbimet e Policisë gjetën të fshehura në tubin e aspirimit, 404 800 euro, 8500 dollarë dhe aksesorë floriri, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Nënë e bir u vunë në pranga, të dyshuar për vjedhjen e një shume në total rreth 120 mijë euro dhe sende të tjera me vlerë, në një banesë në “Rrugën e Kosovarëve” në kryeqytet, ku gruaja punonte si sanitare.

Vjedhja e banesës është kryer me çelësin që ka pasur pastruesja e shtëpisë, e cila ka shfrytëzuar momentin kur në banesë nuk ka pasur njeri. Ajo së bashku me të birin pasi kanë vjedhur shumën e parave kanë bërë rrëmujë në shtëpi për të humbur gjurmët.

E gjitha u bë me qëllimin e inskenimit të një skeme sikur banesa kishte rënë pre e grabitjes nga autorë të tjerë.

Të Fundit