Ka dalë ekspertiza mjekoligjore për vdekjen e të riut, Lear Kurti, mesnatën e 19 tetorit, pas shoqërimit nga policët e patrullës së Komisariatit numër 3.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, shkaku i vdekjes së 32-vjeçarit është helmimi akut me lëndë narkotike të llojit kokainë.
Njoftimi i Prokurorisë:
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka administruar aktin e ekspertimit mjeko-ligjor nr 494/22 datë 14.11.2022, në lidhje me shkaqet e vdekjes së shtetasit Lear Kurti.
Në përgjigje të aktit të ekspertimit mjeko-ligjor, përcaktohet diagnoza Anatomo-Patologjike:
Mbidozim (Helimim) akut me lëndë narkotike e llojit kokainë. Ishemi akute Hypoksite e miokardit e shoqëruar me kontraktim dhe deformim të miofibrilive, edemë e shprehur e trurit, stazë vazale dhe ekstravazat kapilar, atelektazë dhe emfizemë kompesatore e mushkërisë, hepatit kronik persistent.
Shkaku i vdekjes se shtetasit Lear Kurti ka qenë helmimi (mbidozim) akut me lëndë narkotike të llojit kokainë, i komplikuar me shok toksik, me mekanizimin e ishemisë akute të miokardit që ka sjellë për pasojë asistolinë kardiake (Ndalim i menjëhershëm i zemrës).