Poetja Mimoza Ahmeti është dënuar me 40 orë punë në shërbim të komunitetit pas një gjyqi një vjeçar ndaj saj për ndërtim pa leje. Poetja e njohur është paditur se ka bërë ndërtim pa leje, pasi tërmeti i dëmtoi shtëpinë e ndërtuar në Petrelë, në periferi të Tiranës. Ahmeti ishte pjesë e rreth 30 shtetasve të tjerë që u dënuan këtë vit pse kishin ndërhyrë për të riparuar banesat e tyre pas dëmtimeve nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Dënimi i poetes Ahmeti pason atë të kantautorit Bojken Lako, i cili u dënua në prill të këtij viti nga gjykata e Tiranës me 3 vjet burg për ndërtim të paligjshëm, dënim që pas gjykimit të shkurtuar u konvertua në liri me kusht. Në vendimin e gjykatës thuhej se Boiken Lako ka kryer punime pa leje në një magazinë të marrë me qira prej tij në zonën e njohur si ‘NRSHRAKU’, të cilën do ta kthente në studio muzikore.
Sipas gjykatës, Lako kishte marrë leje për kryerjen e disa punimeve hidraulike, elektrike, suvatime të mureve dhe tavaneve, shtrim me pllaka dhe restaurime të dritareve dhe dyerve të objektit, por ka ndërhyrë në godinë në hapjen e katër dritareve të reja.
Pak muaj më parë qeveria shqiptare nisi të ndëshkojë ndërtuesit që kishin ndërtuar pa leje katë shtesë, apo godina të tëra, por anjë prej tyre nuk u dënua, por u detyruan të blejnë katet shtesë që kishin ndërtuar nën hundën e autoriteteve.