Merrnin para nga shoferët, pezullohet dy policë në Lushnje

Autoriteti i Mbikëqyrjes Policore ka zbatuar vendimin e Gjykatës së Rrethit gjyqësor Lushnje për të pezulluar nga detyra dy efektivë të Policisë Rrugore, pasi akuzohen për korrupsion pasiv.

Gjithashtu për dy efektivët është dhënë masa detyrim paraqitje. E njëjta masë është dhënë dhe për dy drejtues mjetesh, të cilët akuzohen për korrupsion aktiv.

Njoftimi i policisë:

Më datë 17.10.2022, Drejtoria Rajonale e AMP-së Fier-Berat ka zbatuar Vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lushnje datë 13.10.2022, e cila ka vendosur caktimin e masës së sigurimit personal “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj punonjësve të strukturës së Policisë Rrugore në Komisariatin e Policisë Kavajë:

– Inspektor H.T., i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal.

– Inspektor B.H., i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal.

Gjithashtu, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnje ka vendosur caktimin si masë sigurimi personal “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj shtetasit P. T., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Në kuadër të këtij procedimi penal, nuk është ekzekutuar vendimi i kësaj Gjykate mbi caktimin si masë sigurimi personal “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, ndaj shtetasit E.SH., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, pasi ky shtetas nuk gjendet në vendbanim dhe rezulton të ketë dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë.

Caktimi i masave të sigurisë erdhi si rezultat i hetimeve të zhvilluara nga Drejtoria Rajonale e AMP Fier-Berat në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale Durrës-Kavajë mbi dyshimet për ndërveprime korruptive nga ana e shtetasve të mësipërm, në kuadër të Procedimit Penal Nr.807/2021.

Të Fundit