Një operacion i policisë së Tiranës i koduar “Fiction” ka vënë në pranga një person dhe ka shpallur në kërkim një tjetër, të akuzuar se janë prezantuar me identitet të rremë në një rrjet social, për t’i marrë një shtetasi nëpërmjet mashtrimit, 6000 euro.
Pas kallëzimit të bërë në polici nga një shtetas se në një rrjet social dy persona të paidentifikuar i janë prezantuar me identitetin e një shtetasi tjetër dhe duke e mashtruar, i kanë kërkuar një shumë parash prej 6000 eurosh, menjëherë kanë organizuar punën për identifikimin, kapjen dhe ndalimin këtyre shtetasve në kuadër të operacionit policor të koduar “Fiction”.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestua shtetasi T. Y., 34 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Mashtrimi” dhe u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tij, shtetasi F. Gj., 39 vjeç, pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, me anë të mashtrimit në një rrjet social, duke u prezantuar si dikush tjetër, i kanë kërkuar shtetasit F. B., 33 vjeç, shumën prej 6000 eurosh.
Aktualisht vijon puna për kapjen e shtetasit F. Gj., ndërkohë që materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.