Një shqiptar i Kosovës i moshës 44-vjeçare, i akuzuar për vjedhjen e një kasaforte në Volos të Greqisë të dielën e kaluar, është etiketuar si hajdut “i ndershëm”.
Kjo pasi, 44-vjeçari së bashku me një të mitur kanë hyrë në shtëpinë e një 32-vjeçareje greke, me çelësin që i dha një grua e cila ishte punëtore në atë shtëpi.
Ata vodhën një kasafortë, e cila përmbante shumën prej 16 mijë eurosh, pesë paund floriri dhe një kryq të floriri.
Pas denoncimit për vjedhjen, policia identifikoi dhe arrestoi punonjësen e shtëpisë një 39-vjeçare, e cila sipas informacioneve ka dëshmuar se në të kaluarën ka pasur lidhje me autorin 44-vjeçar, i cili së fundmi kishte nisur ta shantazhonte dhe kërcënonte me jetë nëse nuk i jepte para.
Siç raportojnë mediat greke, gruaja dëshmoi në polici se për shkak se nuk kishte para për t’i dhënë 44-vjeçarit, i kishte dhënë çelësin e shtëpisë së 32-vjeçares, të cilën ajo e pastronte prej disa vitesh.
Përmes gruas policia ra në gjurmët e autorit të vjedhjes, i cili dyshohet se është arratisur në vendlindje.
44-vjeçari dyshohet se i ka thënë policisë se në kasafortë kishte 10 mijë euro dhe jo 16 mijë siç kishte deklaruar e zonja, është bindur dhe i ka kthyer 8 mijë euro, nëpërmjet një kompanie të transfertave të parave.
Gruaja e arrestuar akuzohet për bashkëpunim në vjedhje dhe është liruar me kusht.
Me përfundimin e hetimeve paraprake policore dhe kalimin e dosjes në Prokurori, pritet që të kërkohet hetimi paraprak për kapjen e autorit 44-vjeçar përmes Interpolit, ndjekjen penale dhe dërgimin e tij në gjykim.