40-vjeçarja Valmira Hasimllari, e cila dyshohet për mbytjen e një foshnjeje, duke e futur atë të porsalindur në një valixhe, është dërguar nga ana e drejtorisë së shëndetit mendor të Korçës drejt spitalit psikiatrik të Elbasanit.
Mësohet se gjendja e saj paraqitet tejet e rënduar aq sa edhe grupi i hetimit e ka të pamundur për ta marrë në pyetje për të gjitha rrethanat e ngjarjes.
Familjarët e gruas kanë mohuar në polici të kenë pasur dijeni për veprimet e 40-vjeçares në lidhje me futjen e foshnjës në valixhe dhe fshehjen e saj në dollap.
Ngjarja e rëndë u zbulua ditën e djeshme në Korçë ku Klodi Hasimllari, denoncoi në policinë e Korçës bashkëshorten e tij për vrasjen e një foshnjeje.
Ai mohoi atësinë e foshnjes, duke thënë se jeton në Greqi dhe prej një muaji ishte kthyer pranë familjes. Për efektivët Hasimllari u shpreh se vetëm disa ditë më parë kishte ndjerë një aromë të rëndë në shtëpi, ku më pas zbuloi edhe trupin e pajetë të foshnjes të sapo lindur.
Sakaq familjarët por edhe mjekja neuro psikiatër pohoi se gruaja vuan nga shëndeti mendor.
Sipas mjekes ajo ka humbur lidhjen me realitetin, dhe thotë se nuk e ka lindur ajo foshnjën. Çifti Hasimllari ka një djalë 15 vjeç.