“Klienti im, Vijard Kotorri i gjeti paratë në rrugë, në afërsi të Laprakës”. Kështu deklaron avokati i të riut që tashmë qëndron pas hekurave për akuzën e mashtrimit me monedhat. Pasi gjykata e Tiranës caktoi masën arrest me burg për Kotorrin dhe Ervin Kamollin si dhe Edmond Dokushin, avokati i të riut tregoi versionin e tij në një prononcim për mediat.
Ai tha se i riu sapo kishte marrë vesh që ishte shpallur në kërkim, ishte dorëzuar në polici. Sipas tij, i riu i rritur në fshatin SOS, pasi prindërit e kishin braktisur, kishte menduar se me ato para do të bënte disa ditë jete ‘luksi’, duke shtuar se dy të arrestuarit e tjerë nuk kishin lidhje me ngjarjen.
“Sapo klienti im, Vijard Kotorrin ka mësuar që është shpallur në kërkim, është dorëzuar në policinë vendore Tiranë, duke u bërë bashkëpunëtor për hetimet. U tregua bashkëpunues, ka kërkuar falje. Shpreh pendesën dhe jo vetëm këtë, por tregon se do të jetë deri në fund bashkëpunueses. Ai ka gjetur, siç edhe e ka deklaruar. Edhe për dy personat e tjerë, dua të theksoj se janë të pafajshëm, por thjesht kanë qenë shok, miq të Vijardit. Në asnjë moment nuk kanë pasur dijeni se ai i kishe gjetur. Sipas deklarimeve që më ka thënë, më tha se ato para i ka gjetur në afërsi të Laprakës. Ai është një person që është rritur në fshatin SOS, duhet theksuar ky fakt, nuk ka parë ndonjëherë aq para. ‘Jam tunduar’ tha dhe ka shkuar për të thyer disa para dhe ka menduar që të bëjë një ‘jetë luksi’ si të thuash. Momentin kur e mori vesh se ato para ishin të falsifikuara, ai i ka djegur ato. Paratë të tjera thotë se i ka djegur. Rreth 8 mijë dollarë kishte gjetur”, tha avokati.