Ambasadorja e SHBA në Shqipëri Yuri Kim paraditen e sotme ka mbërritur sërish në Kryesinë e Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa mësohet se po zhvillon një takim me Enkelejd Alibeajn.
Takimi ka nisur në 11:30 dhe po vijon ende.Një ditë më parë diplomatja Kim u takua edhe me kryetaren e Parlamentit Lindita Nikolla, por nuk dhanë detaje pas takimit.
Ndërkohë që ditën e djeshme u përfol në media se Alibeaj ishte negociator mes PD e PS për emrin e Presidentit të ri. Por kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike ka mohuar të jetë pjesë e negociatave për zgjedhjen e e Presidentit të ri të vendit.
Në një mesazh drejtuar deputetëve të PD Alibeaj shprehet se nuk ka ndodhur asnjë takim i tillë as në emrin e tij dhe as në emër të grupit parlamentar.
Ai thekson se për çdo çështje të axhendës parlamentare, apo organizative, gjithçka mbetet kompetencë e mbledhjes së grupit parlamentar.
“Të nderuar kolegë, të nxitur nga reagimet në media, të stisura mesa duket, ju sqaroj se nuk ka ndodhur ndonjë takim i imi, as imagjinar, as në titull personal, as në emër të grupit me ndokënd për çështje negociatash për ndonjë çështje. Siç edhe është organizuar veprimtaria e grupit parlamentar tonit, për çdo çështje të axhendës parlamentare, apo organizative, gjithçka mbetet kompetencë e mbledhjes së grupit parlamentar. Ky sqarim mbase i tepërt është për secilin prej jush nëse lexon apo pyetet për lajme të stisura. Ju uroj punë të mbarë në vazhdim”, shkruan Alibeaj.