Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku ka paralajmëruar kontrolle në pikat e karburantit në terren, për rezervën e sigurisë së naftës.
Gjatë takimit me furnizuesit e naftës, Balluku u shpreh se ata duhet të deklarojnë sasinë e rezervës së sigurisë së naftës që mbajnë.
“Përmes të gjitha instrumenteve të kontrollit që ne administrojmë, ju bëj me dije se do të nisim një kontroll në terren për të parë depozitat e naftës ku duhet të gjendet sasia e rezervës së sigurisë të kërkuar në bazë të VKM0-së.
Do të nisë që nesër. Në rast më të mirë, do të ishte e udhës që të deklarohej zyrtarisht pranë ministrisë gatishmëria dhe sasia e rezervës që ju mbani, për të koordinuar kështu me sasinë që ne kemi përllogaritur dhe që duhet të jetë e barasvlershme me çfarë sanksionon VKM-ja. Detyrimet dhe sanksionet, jam e sigurt që jeni të informuar.
Deri më sot nuk na është dashur që t’i drejtohemi rezervës shtetërore të sigurisë për naftën.
Rafineritë e naftës, rezervën e sigurisë deri në 50% të saj mund ta mbajnë në rezervuarët e tyre. Duhet mbajtur brenda vendit. Shoqëria e tregtimit të shumicës e mban në rezervuarët e saj” – tha Balluku.