Ministrja e Bujqësisë Frida Krifca deklaroi se do të krijohet një regjistër për fermerët ku ata do të jenë të detyruar të shkruajnë se ku i blejnë produktet që i duhen në punën e tyre.
“Do të kërkojmë një regjistër ferme. Një fletore fermeri që do e bëjmë të detyrueshme për fermerin ku të shkruani se ku i keni blerë inputet, fara, fidanin, kur i keni hedhur. Do iua vështirësojmë pak punën në administrimin por do iua shpërblejmë pastaj me cilësi të produkteve që do të rrisin eksportet tona. Objektiv kemi të rrisim eksportet tona”, tha ajo.
Krifca theksoi se autoritetet duhet të jenë të informuara mirë se çfarë ndodh në fermë për të parandaluar çfarëdolloj problematike.
“I kam kërkuar agjencisë rajonale që të jetë në territor. I kam kërkuar autoritetit të mbrojtjes së bimëve. Ata duhet të dinë se çfarë po ndodh në fermë. Stafi dhe struktura duhet të jenë bashkë me ju. Duhet të kuptojnë se çfarë po ndodh. Duhet ta parandalojnë problematikën”, u shpreh Krifca.