Mbyllja e hyrje-daljeve/ Bizneset në Durrës kundër: Nuk jemi kriminela me 100 policë

Inspektorët e Autoritetit Rrugor Shqiptar janë të pranishëm ditën e sotme në Sukth të Durrësit pasi po vijohet me punimet për mbylljen e rrugës. Kjo është kundërshtuar nga pronarët e bizneseve të cilët pretendojnë se nuk janë njoftuar për këtë vendim i cili i falimenton.

Sipas tyre prej vitesh kanë paguar taksat e biznesit, ndërsa tani po quhen të paligjshëm.

“Kemi vite qe paguajmë taksa dhe detyrime, tani na quani të paligjshëm”, thotë njëri prej tyre.

“Ne duam të hamë bukë, të paktën të sillnit një njoftim”, pretendon një tjetër.

“Jemi në hall, ku do shkojmë? Do i nxjerrim punonjësit në rrugë. Nuk jemi kriminelë që na sjellin 100 policë’, shprehet një tjetër.

Në mbështetje të tyre ka dalë edhe Kreu i Dhomës së Tregtisë, Alban Isteri, i cili ka kërkuar ndërprerjen e këtij aksioni, deri në sqarimin e situatës. Ai deklaron se si pasojë e këtij aksioni preken 900 biznese dhe 2 mijë punonjës rrezikojnë të mbeten pa punë.

“ARRSH në mënyrë të jashtëligjshme, pa asnjëlloj njoftimi dhe pa i dhënë rrugëzgjidhje të tjera bizneseve po tentojnë të mbyllin daljet e bizneseve dhe aksesimin e tyre me rrugë dhe i bie që bizneset të mos kenë akses dhe të mbyllin aktivitetin e tyre, sepse siç e dini të gjithë nuk ekziston një rrugë dytësore siç është nga Tirana në Vorë, nga Vora në Durrës s’ka rrugë dytësore.

Përmes këtij aksioni ARRSH kërkon mbylljen e këtyre bizneseve, bëhet fjalë për më shumë se 800 biznese të cilat kanë akses dhe lëvizin përmes kësaj rruge, të cilat me vazhdimin e këtij aksioni mbyllin aktivitetin e tyre.

Ne kërkojmë të ndërpritet ky aksion sepse bëhet fjalë për biznese që kanë mbi 20 vite që e ushtrojnë aktivitetin e tyre përgjatë këtij segmenti me të gjitha rregullat.

Ne e mirëkuptojmë pjesën e rrezikut të hyrjeve dhe daljeve në autostradë por s’është kjo mënyra e zgjidhjes.

Palët të ulen e të diskutojnë për një zgjidhje permanente, një zgjidhje do ishte ndërtimi i një rruge dytësore dhe të kemi mundësi që bizneset të kenë mundësi të aksesojnë. Nëse nuk merret parasysh bizneset do të përshkallëzojnë protestën e tyre në rrugë të tjera”, tha Isteri.

Përfaqësuesit e bizneseve paralajmëruan se në rast se nuk merren parasysh kërkesat e tyre, protesta do përshkallëzohet.

Megjithatë inspektori i ARRSH shprehet se nuk mund të ndalohet aksioni, pasi urdhri është ndryshe dhe hyrje-daljet e piketuara për t’u mbyllur janë pa leje dhe jashtë rregullave duke u kthyer në burim aksidentesh.

Pronarët e bizneseve u ngritën dje edhe në Maminas kundër këtij aksioni, duke pretenduar se nuk ishin njoftuar si dhe duke kërkuar një rrugë dytësore në të cilën të kryejnë normalisht aktivitetin e tyre si biznese. Pavarësisht pretendimeve të tyre, ARRSH ka vijuar me aksionin që ka nisur që prej 27 nëntorit.

Të Fundit