Edhe 18 vite pas tragjedisë së Karaburnit të 9 janarit të vitit 2004, familjarët e 28 viktimave nuk po gjejnë drejtësi.
Ata sot protestuan para këtij institucioni të lartë të drejtësisë në SPAK, ku kërkojnë hetimin e çështjes. Ata kanë kërkuar që prokuroria e Vlorës mos ta hetojë më këtë çështje, po kjo të kalojë në SPAK.
Një nga familjarët tha se kërkojnë që personat përgjegjës të vihen përpara drejtësisë, teksa hodhi akuza se ne këtë çështje janë përfshirë punonjës së policisë së Shtetit.
“Ne jemi përfaqësues të shoqatës 9 Janari, unë jam kryetari. përfaqësojmë shoqatën e 30 familjeve, ku na kanë vdekur 30 fëmijët tanë afër bregut në Vlorë. Ata njerëz kanë qenë një grup i strukturuar kriminal, që përbëhet nga policia e Vlorës. Josif Shtëmbari e ka bërë analizën e asaj policie dhe e ka cilësuar ata 30 oficerë, si pjesëtarë të bandës. Ata i morën prej Shkodrës. E ndaluan gomonen në mes të detit dhe kanë gjuajtur me armë. Ne kërkojmë zbardhjen e çështjes. Kërkojmë hapjen e çështjes, Prokuroria e Vlorës është e korruptuar, se nuk janë hetuar ata që kanë bërë krimin. Është e vetmja tragjedi për arsye se nuk është dhënë ndihma, është njoftuar shteti dhe kanë thënë; po vdesim këtu dhe nuk u bë operacioni i kërkim-shpëtimit për të shpëtuar ata njerëz. I lanë atje për t’u fundosur. Pas 18 orësh ka nisur kontrollet anija italiane. Ne na e mbyllën çështjen që mos të dilte ky grup kriminal. Ne i kërkojmë SPAK zbardhjen e çështjes, të vihen para drejtësisë kriminelët që na kanë vrarë fëmijët. I lanë 17 orë 13 km afër bregut. Ne kemi 8 vetë të zhdukur. Si kemi gjetur ende. Ja ky burrë këtu nuk e ka gjetur djalin e vetëm, si ka një varrë.”, tha Nikollë Mehillaj, kryetar i shoqatës së viktimave.
Më 9 Janarit, një gomone u mbyt në ujërat e kanalit të Otrantos, ndërsa udhëtonte nga Shqipëria drejt Italisë dhe për pasojë gjetën vdekjen 21 persona dhe 7 të tjerë rezultuan të humbur.