Policia ka arrestuar topografin e Bashkisë Himarë. Në një njoftim për mediat autoritetet bëjnë me dije se dyshohet se 41-vjeçari ka falsifikuar formularin e aktit të marrjes së Tokës në pronësi, të cilin e ka përdorur për regjistrimin e një pasurie në fshatin Dhërmi dhe më pas e ka shitur te persona të tjerë.
Për E. M., 41 vjeç Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.
“Nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Vlorë u bë ekzekutimi i vendimit të datës 06.11.2021, të Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, e cila ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg” për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, për shtetasin E. M., 41 vjeç, banues në Himarë, me detyrë topograf pranë Bashkisë Himarë, pasi dyshohet se ka falsifikuar formularin e Aktit të Marrjes së Tokës në Pronësi, të cilin e ka përdorur për regjistrimin e një pasurie në fshatin Dhërmi dhe më pas e ka shitur tek persona të tjerë.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.