Zbulohet një e metë e madhe në sistemin e pasaportave europiane të imunitetit ndaj Covid-19. Dikush ka arritur të zotërojë çelësat e kodifikuara që mundësojnë gjenerimin e QR kodeve dhe ka nisur të shesë certifikata false në Dark Web.
Këto dokumente që vërtetojnë vaksinimin, shërimin ose një rezultat negativ të një testi për Covid-19, rezultojnë funksionale nëse skanohen në pika kontrolli.
Gjithçka ka nisur nga një diskutim në “Raidforums”, një nga forumet më të ndjekura në Dark Web, ku një përdorues i kërkon një shitësi polak të krijojë një Green Pass europian për Adolf Hitlerin, diktatorin famëkeq nazist. Rezultati? Me 300 euro ka zotëruar një certifikatë imuniteti plotësisht funksionale.
Këto dokumente false kanë qarkulluar edhe në disa grupe në Telegram dhe QR kodet janë të vlefshme në aplikacionet e verifikimit, në të gjithë Europën. Në fakt, me emrin Adolf Hitler janë lëshuar dy certifikata imuniteti, njëra me datëlindje 1 janar 1900 dhe tjetër për vitin e lindjes 1930, shkruan Tema.
Pas publikimit në rrjete sociale, është ndërhyrë që ato dokumente të shpallen të pavlefshme. Ende nuk dihet se në cilin shtet europian mund të jenë vjedhur çelësat që gjenerojnë këto pasaporta imuniteti, por mendohet se autori mund të jetë dikush që punon në farmaci ose spital dhe ka akses në sistemin e prodhimit të tyre.
Disa nga vendet e Bashkimit Europian kanë ndërhyrë duke shpallur të pavlefshme çdo Green Pass të lëshuar me kodet e këtyre çelësave.
Ndërsa një haker i njohur francez ka kuptuar menjëherë problemin dhe sqaron se pas këtij zhvillimi qëndron dikush që ka pasur akses në çelësat e kriptuara që përdoren për të firmosur certifikatën digjitale europiane të Covid-19.