Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave publikoi një ditë më parë një rekomandim për pakësimin e kripës në produktet ushqimore të përpunuara.
Marrja në sasi të madhe e natriumit është lidhur prej kohësh me presionin e lartë të gjakut, i cili është shkaku kryesor i sulmeve në zemër dhe goditjeve në tru.
“Ajo që më shqetëson është sasia e natriumit që gjendet te ushqimi i përpunuar. Rreziqet e natriumit janë shumë. Ky është një hap në drejtimin e duhur në zvogëlimin e sasisë së përmbajtjes së natriumit në ushqimet e përpunuara “, u shpreh mjeku John Whyte.
Udhëzuesi i FDA parashikon reduktim të natriumit nga prodhuesit e ushqimeve, restorantet dhe operatorët e shërbimeve ushqimore në më shumë se 150 kategori ushqimesh të përpunuara, të paketuara dhe të përgatitura. Mesatarisht 3.400 miligram natriumi konsumohet në ditë në Shtetet e Bashkuara.
Udhëzimi kërkon të zvogëlojë marrjen mesatare të natriumit në 3.000 mg në ditë, një ulje prej 12%, gjatë dy viteve ardhshme.
Sipas FDA, më shumë se 70% e marrjes totale të natriumit vjen nga kripa e shtuar gjatë prodhimit të ushqimit dhe përgatitjes komerciale.
Agjencia bën me dije se përfitimi i shëndetit publik nga kufizimi i marrjes së natriumit vlerësohet të jetë i madh jo vetëm duke reduktuar sëmundjet e zemrës dhe goditjet në tru, por do të sjellë dhe miliarda dollarë kursime në kujdes shëndetësor.