TIRANË
Kryeministri Edi Rama ka dalë në një konferencë për media me Komisionerin për Zgjerim të BE, Oliver Varhelyi, në fund të Samitit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor.
Në fjalën e tij, Rama deklaroi se BE dhe KE e kanë bërë plotësisht punën e tyre dhe tani iu takon 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor që të bëjnën punën e tyre.
Sipas kryeministrit shqiptar, ky Samit është i një rëndësie të veçantë për dy arsye, së pari për të shtyrë përpara procesin e zhvillimit rajonal, dhe së dyti se ky proces është i mbështetur nga një paketë financiare në kuadrin e një plani ekonomik dhe investimesh të BE.
“Shprehu gatishmërinë për të ndryshuar agjendën e tij dhe për të ardhur në këtë takim, i cili është i një rëndësie të veçantë për dy arsye, së pari sepse të gjithë së bashku jemi mbledhur për të shtyrë përpara një proces, që nuk ka rëndësi se si e quan njëri apo tjetri, por ka rëndësi që të cojë përpara jetësimin e katër lirive të Evropës në rajonin tonë. Nga ana tjetër, sepse ky proces është i mbështetur nga një paketë financiare në kuadrin e një plani ekonomik dhe investimesh të BE, që për nga volumi i fondeve të vëna në dispozicion të bashkëpunimit rajonal dhe të përmirësimit rrënjësor të infrastrukturës rrugore, hekurudhore, portuale, të interkonjektivitetit dhe të gjithë sektorit të energjisë, si dhe të digjitalizimit, përbën lëvizjen më të madhe historike të BE ndaj Ballkanit Perëndimor.
Ishte një kënaqësi, sepse më në fund takimi nuk ishte virtual, pasi ne kemi mundësinë që t’i mikpresim miqtë tanë pa masa shtrënguese, dhe besoj që edhe komisioneri, edhe delegacioni nga Brukseli, ndihet mirë që maskat e Brukselit i hoqi në Tiranë, dhe patjetër sepse gjërat tanimë janë konkrete, planet e punëve janë konkrete. Ky është një nga ato momente kur duhet ta pranojmë që BE, Komisioni Evropian, të vetën e ka bërë plotësisht, na takon neve të bëjmë tonën”, tha Rama.