Kandidati për kryetar i Partisë Demokratike, Agron Shehaj ka nisur ditën e sotme fushatën për këtë garë nga qyteti i Shkodrës.
Në fjalën e tij Shehaj ka treguar se pse pikërisht ka zgjedhur Shkodrën si qytetin e parë për të nisur fushatën.
Sipas tij, ky qytet është një nga vendet që ka vuajtur mungesën e lirisë dhe njëkohësisht qyteti që ka luftuar më shumë për lirinë.
Agron Shehaj gjithashtu theksoi se një nga arsyet përse ka zgjedhur të kandidojë për kryetar të PD-së, është sepse e konsideron veten njëri i lirë.
“Ju falënderoj për kohën dhe dua t’i jap përgjigje pyetjes, përse një vlonjat e fillon fushatën në Shkodër? Përgjigja e kësaj është shumë e thjeshtë, e zgjodha sepse Shkodra është vendi që ka vuajtur më shumë mungesën e lirisë në Shqipëri dhe është qyteti që ka luftuar më shumë për lirinë.
Arsyeja përse kam shpallur kandidaturën si kryetar i Partisë Demokratike është sepse unë jam njeri i lirë. Kuptohet nuk do të mjaftojë, por sa më të fortë të jemi, aq më shumë mundësi do të kemi për të rrëzuar regjimin e Edi Ramës”, tha Shehaj