Në zgjedhjet e 25 prillit, 83 mijë fletë votimi u konsideruan të pavlefshme. Në një konferencë për mediat, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi teksa prezantoi listën e 140 deputetëve të rinj të kuvendit, u shpreh se do të bëhet një analizë për votat e pavlefshme ndërsa ftoi partitë të marrin pjesë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatin paraprak të listës së 140 deputetëve të rinj që do jenë në kuvendin e ardhshëm, të dalë nga zgjedhjet e 25 prillit. Në një konferencë për mediat, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi deklaroi se numri i lartë i fletëve të pavlefshme nuk do të ndodhte nëse modeli i fletës së votimit do të ishte me emra.
“Unë nuk dua të bëj profetin, por në vlerësimin tim nëse fleta e votimit do të ishte me emra, nuk e dimë akoma se apriori është kjo që them ndoshta mund të ishte ndryshe”, tha z. Celibashi.
83 mijë vota janë shpallur të pavlefshme, e për këtë, Celibashi paralajmëron se do të ketë një analizë dhe ftoi partitë të marrin pjesë.
“Ngelet për tu bërë një analizë për të parë sesa fleta e votimit në vetvete ndikoi tek ky numër i lartë i pavlefshmërisë. Pasi të mbyllet procesi zgjedhor, të shpallen rezultatet përfundimtare në momentin kur materiali zgjedhor do të asgjësohet, mendoj që do të ishte e dobishme dhe ndoshta do të ishte e dobishme për partitë politike dhe subjektet dhe unë do ti ftoja që në këtë proces të ishin edhe ato pjesëmarrëse, është një proces komplet teknik. Përpara se KQZ të djeg fletët e votimit ndoshta është mirë që të shikojmë ato fletë votimi që janë vlerësuar të pavlefshme, për çfarë arsye është kjo pavlefshmëri”, tha Ilirjan Celibashi.
Për herë të parë në zgjedhjet e së dielës, shqiptarët votuan edhe për kandidatët.
“PD-AN – 76.71% e votuesve kanë zgjedhur edhe për kandidatët dhe për PS – 74.75 % e votuesve që kanë dhënë votë edhe për kandidatët”, u shpreh z. Celibashi.