Sipas agjencisë Associated Press, një studimi i përbashkët i pa botuar ende, mes OBSH-së dhe Kinës mbi origjinën e COVID-19 arrin në përfundimin se “transmetimi i virusit nga lakuriqët e natës tek njeriu, përmes një kafshe tjetër, është skenari më i mundshëm” i përhapjes së virusit.
Skenari që virusi të ketë dalë nga një laborator dhe të jetë përhapur tek njeriu, konsiderohet si “jashtëzakonisht i pamundur” sipas hetimit të përbashkët, thuhet në raport.
Studimi zbulon gjithashtu se brejtësit dhe macet “mund të preken nga virusi COVID, gjë që sugjeron se ato gjithashtu mund të jenë transmetuese” të tij.
Një diplomat i një vendi anëtar të OBSH-së në Gjenevë, e ndau studimin, që “dukej të ishte një version gati përfundimtar”, me agjencinë Associated Press të hënën, por agjencia e lajmeve nuk e ka bërë të ditur identitetin e diplomatit, sepse ai nuk ishte i autorizuar ta jepte informacionin para botimit.
Raporti është “bazuar kryesisht” në një vizitë që një ekip ekspertësh ndërkombëtarë bëri këtë vit në Wuhan të Kinës ku u shfaq për herë të parë koronavirusi.
Infeksionet në SHBA në nivel konstant
Ndërsa vazhdon fushata e vaksinimit në Shtetet të Bashkuara kundër COVID-19, nivelet ditore të infeksionit mbeten të larta.
Anthony Fauci, këshilltari kryesor i Shtëpisë së Bardhë për pandeminë, shprehu shqetësim të dielën se kjo mund të jetë rezultat i heqjes së disa kufizimeve shumë herët nga disa shtete – veçanërisht në periudhën e pushimeve të pranverës.
“Mendoj se ishte e parakohshme”, tha zoti Fauci për kanalin CBS, duke folur për shtetet që hoqën kufizimet ndërsa po rritet niveli i vaksinimit, duke paralajmëruar se ekziston “një rrezik real” të shohim një valë të tretë të epidemisë.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve të dielën, Presidenti Joe Biden tha se beson se niveli i infektimeve ka mbetur i njejtë, në vend që të ulet, pasi njerëzit “po heqin dorë nga masat mbrojtëse”.
Të enjten e kaluar, presidenti Biden u zotua për 200 milionë vaksinime në 100 ditët e tij të para si president. Të dielën, Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) njoftuan se më shumë se 51.5 milionë amerikanë kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës dhe 93.6 milionë kanë marrë të dyja dozat.
Në të njëjtën kohë, SH.B.A. kanë konfirmuar afërsisht 60,000 raste të reja ditore të virusit gjatë disa ditëve të fundit. Niveli i pandryshuar i rasteve në një shkallë kaq të lartë është shqetësues.
“Unë mbetem thellësisht e shqetësuar për një ndryshim të mundshëm të trajektores së pandemisë. Të dhënat më të fundit të CDC vazhdojnë të sugjerojnë se rënia e rasteve ka mbetur e pandryshuar në një nivel shumë të lartë, “tha Dr. Rochelle Walensky, drejtoreshë e CDC-së.
Më herët të dielën, Dr. Deborah Birx, e cila ka shërbyer si koordinatore e përgjigjes së Shtëpisë së Bardhë ndaj koronavirusit nën administratën Trump, tha për kanalin CNN se ajo beson se numri i të vdekurve prej 550,000 mund të kishte qënë shumë më i ulët, nëse zyrtarët në qytete dhe shtete do të kishin ndërmarrë hapa më agresivë për të ndalur infeksionet duke nxjerr mësime nga vala e parë.
“Kishte rreth 100,000 vdekje që erdhën nga vala e parë”, tha zonja Birx. “Të gjithë rastet e tjera, sipas mendimit tim, mund të ishin zbutur ose zvogëluar ndjeshëm.”
/VOA