Kryeministri Edi Rama prezantoi sot programin qeverisës për Ujin dhe Energjinë, 2021-2025, duke premtuar furnizim me ujë të pijshëm 24 orë në ditë në të gjitha bashkitë e vendit, në fund të mandatit të tretë.
Kreu i qeverisë tha se në të shkuarën ky sektor ishte një “rrumpallë”, apo “fole punësimi për partitë”, duke shtuar se me realizimin e premtimit për 24 orë ujë, ai nuk do të jetë me temë fushate.
“E mbani mend të gjithë se çfarë rrumpalle dhe vjedhje në sistem ishte në çerek shekulli?! Për ujin gjetëm 23 strategji kombëtare nga 90-ta në 2013-ën. Sistemi i ujit të pijshëm ishte totalisht i korruptuar, me ndërmarrje ujësjellësi të falimentuara, të kthyera në fole punësimi për partitë që i linin vendin njëra-tjetrës në nivel qendror dhe vendor.
Kur shkonim me pushime në shtëpinë e gjyshes në Vlorë, duhet të shkonim ta mbushnim në një çezmë të përbashkët në Skelë. Shqipëria u përball me një bombë demografie, duke rritur në mënyrë marramendëse nevojën për ujë pijshëm. Kjo solli një efekt dëmtor paralel me efektin dëmtor të dritëshkurtësisë, paaftësisë qeverisëse. Ne e nisëm me konceptimin e një tjetër arkitekture të administrimit të sistemit, me krijimin e një agjencie kombëtare që kontrollon nga lart sistemin e furnizimit me ujë.
Do garantojnë 24 orë ujë brenda këtij viti në territore, qendra urbane, që e kanë pasur lëngatë. Mandati i 3 do garantojë në disa faza furnizimin me ujë 24 orë në Tiranë. Kur them Tiranë, përfshi Kamzën dhe Vlorën. Me rritjen e buxhetit për ujin me 40 për qind, ne do të garantojmë më në fund 100 për qind ujë të pijshëm, 24 orë në zonat urbane në bashkitë e vendit. Uji i pijshëm nuk do të jetë më temë në fushatë.
Në vitin 2013 në rang territori ne kishim 12 orë ujë në ditë si mesatare. Në dhjetor të këtij viti, si mesatare do të kemi 18 orë ujë në ditë. Në mbyllje të mandatit të tretë, 24 orë ujë në ditë.
E dini sa ishte furnizimi mesatar me ujë në zonat urbane? 11 orë. Brenda këtij viti shkon 21 orë. Ne do ta çojmë në mandatin e tretë nivelin e humbjeve teknike në 10 për qind, e pamendueshme 7 vite më parë”, tha Rama.