Zv. ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli ka komentuar sërish deklaratën e saj në lidhje me mbipopullimin e urbanëve në vendin tonë dhe mungesën e kontrollit për linjat e transportit publik, ndërkohë që jemi në kohë pandemie. Rakacolli është shprehur se përdorimi i urbanëve është një problem personal, ndërsa sipas saj njerëzit duhet të zgjedhin orarin e përshtatshëm për të hipur në autobusë dhe mundësisht të zgjohen një orë më parë në mëngjes në mënyrë që të shmangin oraret e pikut të lëvizjes.
Pyetje: Distancimi fizik është i pamundur teksa ne shohim që urbanët janë plot dhe njerëzit padiskutim që duhet t’i përdorin urbanët në kryeqytet apo kudo për të kryer nevojat e tyre, qoftë familjare, qoftë ekonomike, qoftë të punës. Pra nuk e shmang dot sepse edhe vetë autoritetet apo përfaqësuesit e urbanëve nuk respektojnë masat. Si do duhet të veprojmë?
Rakacolli: Nëse unë më përpara po të shikoja një autobus plot, nëse do gjeja vend do futesha, tashmë duhet ta shikoj me një sy tjetër. Nuk duhet të hip në autobus, pra zgjedhja në radhë të parë është e imja, po mua kjo do më kondicionojë mungesën në punë sepse janë distanca të largëta. Atëherë do më duhet që të çohem më herët, do marr një autobus tjetër, do t’i jap kohë vetes që unë të zgjedh pak a shumë orën më të përshtatshme për të hipur në autobus, kur mundet që unë mos të shkoj në atë orën e fluksit dhe të mundohem ta respektoj. Ky është problem individual.