Shqipëria vazhdon të mbetet një vend me nivel të lartë të emigracionit. Sipas një raporti të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) vendi ynë renditet i katërti në botë për rritjen në normën e emigracionit të personave me aftësi të larta në punë.
Por vala e emigracion nuk ka prekur vetëm krahun e punës, por edhe shtresën e inteligjencës apo të ekspertëve. Sipas këtij raporti, Shqipëria renditet ndër 10 vendet e para në botë për normën e emigracionit të intelektualëve për periudhën 2000- 2001 deri në 2015- 2016.
Sipas raportit të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik vendi ynë pozicionohet në vendin e tetë në botë për normën e largimit të intelektualëve.
Ndërkohë që në shifra edhe më shqetësuese është rritja e ritmit të emigrimit të personave me aftësi të larta, ku për të njëjtën periudhë ne mbajmë vendin e katërt.
Emigrimi masiv i shqiptarëve nisi që në vitet 90 me rënien e regjimit komunist dhe me sa duket nuk po njeh zbutje dhe ikja e të arsimuarve nuk duket të jetë një lajm aspak i mirë.
Po sipas raportit edhe vende të tjera të Ballkanit janë burime potenciale të emigrimit në vendet e BE-së. Por, edhe këtu Shqipëria zë vendin e parë me një normë totalë emigrimi prej 29% më pas vjen Bosnjë dhe Hercegovina prej 20% dhe Maqedonia e Veriut prej 18%.