Urgjenca Kombëtare me 36 ambulanca të reja, Rama: Kur të iki kjo flamë do të…

  1. Kryeministri Edi Rama teksa inauguroi autoambulancat e reja që do t’i bashkohen flotës së Urgjencës Kombëtare, deklaroi se tashmë është pas krahëve ai rrënim i çerekshekulli, duke shigjetuar kështu qeverinë e kaluar.

Në prani të ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe kreut të Urgjencave, Skënder Brataj, Rama tha se situata do të jetë më e qetë pasi të mbarojë dhe pandemia e COVID-19. Mes të tjerash ai pyeti Bratajn se sa është koha e shpejtësisë së arritjes së një ambulancë në urgjencën e kërkuar.

 

“Gjithë ajo lemeri dhe rrënimi i çerekshekulli tashmë është pas krahëve. Me gjithë këtë digjitalizim, mbetet vetëm për të mbajtur nivelin dhe për të vazhduar me intensitet. Në momentin kur të kalojë flama e covid-it, do të jetë situata më e qetë. Do jetë më e stabilizuar situata dhe do të rritet shpejtësia e shërbimit.”, tha Rama.

Ndërkohë, Brataj tha se; “Shpejtësia e arritjes ka qenë 13.5 minuta. Me COVID koha është ndryshe. Nuk është urgjencë. E rëndësishme është që të asistojmë dhe të çojmë në spital.”.

 

 

Ministrja Manastirliu tha se nëpërmjet këtij investimi strategjik, shtimi i 36 autoambulancave të reja është përgjigjia ndaj pandemisë dhe se koha e mbërritjes së autoambulancës në vendngjarje do të ulet edhe më tepër. “Janë 36 autoambualanca të reja, të mirëpajisura me të gjitha pajisjet jetështëtuese. Janë një investim i qeverisë shqiptare, në kuadër të të gjithë investimeve të përgjigjes ndaj pandemisë. Vetëm në dy vitet e fundit flota e autoambulancave është zgjeruar me 80 autoambulanca të reja”, tha Manastirliu.

 

Duke theksuar se është vendosur një standard i ri në shërbim të qytetarëve përsa i përket flotës moderne të autoambulancave, Manastirliu tha se me shtimin e autoambulancave të reja janë shtuar edhe ekipet në terren. “Ekipi i Urgjencës Kobëtare është dyfishuar, pasi sigurisht që me rritjen e numrit të autoambulancave, pra me flotën e re, kërkohet edhe një numër më i madh i stafit dhe tashmë është i dyshfishuar”, pohoi ajo.

 

Drejtori i Urgjencës Komëbatre Skënder Brataj ka theksuar se autoambulancat e reja janë të pajisura me të gjitha pajisjet jetëshpëtuese, duke siguruar shërbim si në spitale me ekipe të mirëtrajnueara.
“Është një spital që shkon tek pacienti. Qëllimi ynë është të mbërrijmë sa më parë tek pacienti dhe në momentin që mbërrijmë pacienti është në sptial. Janë 4400 litra oksigjeni në çdo ambulancë. ”, theksoi Brataj.

 

Vetëm në dy vitet e fundit flota e autoambulancave në territor është fuqizuar me 80 autoambulanca të reja moderne të pajisura me të gjithë mjetet jetëshpëtuese. 36 autoambulancat e reja do të shpërndahen në territor, në spitale dhe do të jetë në funksion të menaxhimit të pandemisë.

 

Të Fundit