Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias i ka telefonuar Olta Xhaçkës që është caktuar nga Kryeministri Edi Rama për të qenë ministre e Jashtme.
Telefonata e Dendias vjen pak ditë pas hyrjes në fuqi të dekretit presidencial për zgjerimin me 12 milje në detin Jon por gjithashtu ajo është dhe në kuadër të një serie telefonatash që kreu i diplomacisë greke ka zhvilluar me disa vende aleate.
“Në një bisedë me Olta Xhaçkën e cila së fundi është emëruar ministre e Jashtme e Shqipërisë, kam nënvizuar vullnetin tonë për të forcuar më tej marrëdhëniet mes Greqisë dhe Shqipërisë dhe shtimin e bashkëpunimit për të zgjidhur sfidat e përbashkëta”, shprehet Dendias.
Çështja e kufirit detar mes dy vendeve vazhdon të jetë një temë e nxehtë mes Shqipërisë dhe Greqisë që pas rrëzimit të marrëveshjes së vitit 2009 nga Gjykata Kushtetuese.
Së fundmi, qeveritë e dy vendeve kanë rënë dakord që këtë çështje ta zgjidhin në Gjykatë Ndërkombëtare të Hagës.
Olta Xhaçkës është caktuar nga Kryeministri Edi Rama për të qenë ministre e Jashtme duke zëvendësuar kështu Gent Cakajn, i cili dha dorëheqjen pak ditë më parë.
Xhaçka që mbante postin e ministres së Mbrojtjes është dekretuar nga Presidenti për detyrën e re dhe tashmë pret votimin në Parlament për të marrë zyrtarisht detyrën.