Presidenti Ilir Meta, deklaroi sot se nuk ka marrë asnjë informacion zyrtar për ndërprerjen apo përfundimin e negociatave Shqipëri-Greqi në lidhje me përcaktimin e vijës detare mes dy vendeve.
Në një postim në Facebook, Meta thotë se “deri në këto momente”, nuk ka marrë asgjë zyrtare, që të sugjerojë “ndërprerjen, pezullimin apo përfundimin e procesit të negociatave dypalëshe, nga ekipi negociator apo nga qeveria shqiptare”.
Meta thotë se i ka kërkuar qeverisë dhe Kuvendit të respektojnë “detyrimin dhe përgjegjësinë për përputhshmërinë e plotë të veprimtarisë së tyre kushtetuese dhe ligjore, në shërbim të interesave shtetërore dhe kombëtare”.
“[…] Nuk do të lejoj për asnjë moment të cenohen interesat shtetërore dhe kombëtare të Republikës së Shqipërisë nga cilido individ, që keqpërdor autoritetin e deleguar nga populli shqiptar,” – thekson më tej Meta teksa zotohet se do të bëjë transparente të gjitha vlerësimet dhe qëndrimet e tij në lidhje me çështjen.
Më 27 dhjetor shteti grek botoi në Fletoren Zyrtare dekretin e Presidentit për të zgjeruar kufijtë detar në Detin Jon me 12 milje duke nisur nga kepi Tainaro në jug e deri në kufirin veriperëndimor me Shqipërinë. Autoritetet greke i referohen Konventës së OKB-së për Detin miratuar në vitin 1982.
Kryeministri Rama deklaroi pak muaj më parë se autoritetet shqiptare dhe ato greke kishin rënë dakord t’i drejtoheshin Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për zgjidhjen e kësaj çështjeje.
Opozita nga ana tjetër i ka drejtuar atij pyetje të hapura duke i kërkuar transparencë për këtë vendimmarrje si dhe rezultatet e negociatave të shkuara prej vitit 2013 e deri më sot. Vetë Rama reagoi në fundjavë duke i konsideruar “llum nacional-folklorik të politikës” raportimet kinse Shqipëria kishte pranuar të lëshonte pretendimet e saj për kufirin detar.