Në fjalën e tij kryeministri Rama falënderoi fillimisht të pranishmit për vendosjen e maskës teksa bëri thirrje që protokolli i sigurisë së vendosur që nga dita e enjte e në vijim duhet të merret seriozisht.
Edi Rama theksoi se ndryshimi që ka mes vendeve të zhvilluara dhe vendeve të vogla sa i përket korrupsionit nuk lidhet me gjë tjetër veçse dallime sistemike.
Ai solli në vëmendje se vendet e zhvilluara kanë një sistem të cilat e bëjnë tejet të vështirë penetrimin e korrupsionit.
Rama e konsideroi luftën me korrupsionin një luftë për të ndërtuar sisteme imune dhe për t’i vendosur njerëzit apo organizatat në kushte pamundësie për të rënë pre e tundimit të korrupsionit.
Kryeministri shpjegoi se lufta me korrupsionin ka nisur pikërisht në momentin kur ka nisur dhe reforma në drejtësi duke e konsideruar këtë të fundit si thelbësore sa i përket krijimi të një shteti pa korrupsion.
“Shqipëria është ende në një proces rritje, është ende një shtet demokratik shumë i ri”,- tha Rama teksa theksoi se vetingu është procesi që po bënë ‘kërdinë e duhur’ për ta liruar Shqipërinë nga korrupsioni.
Kryeministri solli në vëmendje gjyqtarët, prokurorët dhe ata që punojnë në sistemin e drejtësisë janë të parët që do të goditen.
“Askush të mos ketë asnjë iluzion. Nuk do të ketë goditje të korrupsionit në nivelet e larta nëse nuk do të goditet korrupsioni brenda sistemeve të drejtësisë. Nëse gjykatës dhe prokuror të cilët janë kapur në flagrancë me pasuri marramendëse, nuk do të shkojnë prapa hekurave të mos kemi asnjë iluzion se kjo do të ndodhë me zyrtarë shumë të lartë”,- tha Rama.