Emisioni “Stop” është ndalur në Peshkopi për shumë probleme të raportuara, lidhur me ZA-në dhe Drejtoreshen e saj, Brikena Dani.Ajo është komanduar në këtë pozicion, edhe pse nuk plotëson kriteret, pasi është diplomuar për gjuhë-letërsi. Selami Kaza, kreu i Sindikatës së Arsimit Dibër, ngre shqetësimin e rreth 300 mësuesve të zonës, që u është ndërprerë kontrata e punës pa të drejtë.
Shkolla “Selim Aliu” prej kohesh ka mbetur pa drejtor, pasi Brikena Dani ka marrë ish drejtorin Mezin Shehu, si specialist në ZA. Një tjetër problem është shfaqur në shkollën e fshatit Selishtë, ku drejtori, Avni Delishi, është larguar për në Londër që në mars 2020 dhe ZA-ja as e ka zëvendësuar, duke e paguar gjatë gjithë kohës.
Gazetari i emisionit “Stop” kërkoi një shpjegim nga ZA Dibër për zinxhirin e korrupsionit dhe shkeljeve ligjore.Financierja e ZA-së, tha se drejtori i larguar në Angli, është paguar, pasi ka zhvilluar mësimin online nga Londra në Selishtë.Vetë drejtori, Avni Delishi, ka nje version tjetër. Ai tha, se ka qenë me leje dhe ka dhënë dorëheqjen në korrik, pas 4 muajsh, që paguhej pa të drejtë.”Stop” ka mësuar, se drejtoresha e te ZA Dibër, Brikena Dani është vajza e xhaxhait e deputetes Valmira Xhembulla dhe kjo e fundit mikeshe e ministres Besa Shahini. Në nëntor 2019 dhe janar 2020 nga Ministria e Arsimit janë zhvilluar dy konkurse për vendin e drejtorit të ZA-së, por Brikena nuk ka fituar. Nga ana tjetër, Ministria e Arsimit, vetëm për Dibrën nuk ka bërë transparente rezultatet e dy konkurseve.