Shifrat zyrtare/ Sot, 77 raste të reja në vend, si u zgjerua harta e të prekurve me koronavirus.

TIRANË

Vijon të mbetet e lartë shifra e infektimeve nga koronavirusi në vendin tonë. Ministria e Shëndetëwsisë raporton se gjatë 24 orëve të fundit kanë rezultuar pozitivë 77 persona.

Kujtojmë se një ditë më parë u regjistruan 78 raste pozitive, ndërsa shifra më e lartë në vendin tonë u regjistrua pak ditë më parë me 82 të infektuar.

Gjatë ditëve të fundit, përveç shifrave të larta të infektimeve, ka pasur edhe shtime të reja në Spitalin Infektiv.

Shpërndarja gjeografike e rasteve të reja është si vijon: Tirana 28 raste, Shkodra 13 raste, Durrësi dhe Korça me nga 5 raste; nga 4 raste Delvina dhe Berati; nga 3 raste në Fier, Kurbin dhe Pukë; nga 2 raste në Elbasan dhe Kamëz; nga 1 rast përkatësisht në Krujë, Tropojë, Librazhd, Gjirokastër, Sarandë.

Deklarata e plotë e Dr. Eugena Tomini nga Instituti i Shëndetit Publik:
Situata epidemiologjike në vend po vijon në javën e 16 të epidemisë, por në 3 javët e fundit kemi një intensitet të lartë të hasjes së rasteve pozitive me Covid19. Kemi gjithashtu dhe një numër të lartë të rasteve që kërkojnë trajtim spitalor dhe terapi intensive. Kjo situatë, lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me kriterin epidemiologjik, siç është periudha e gjatë e inkubacionit 14 ditor, si dhe mos respektimi i masave të vendosura për ndërprerjen e trasmetimit të virusit. Ndaj Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon për të gjithë qytetarët, bizneset, institucionet, respektoni masat e vendosura dhe protokollet e miratuara të sigurisë, si e vetmja mënyrë për të mbrojtur veten dhe të afërmit tuaj.

Gjatë 24 orëve të fundit, për fat të keq dy qytetarë nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen, pavarësisht asistencës së madhe të mjekëve dhe trajtimit mjekësor.  Dy humbjet e jetës kanë qenë të papritura. Një 76 vjeçar nga Tirana, me disa sëmundje bashkëshoqëruese, pasi ishte përmirësuar pas 15 ditësh trajtim, ka pësuar tromboemboli pulmorare. Dhe një 54 vjeçar në gjendje të rëndë, me insuficencë renale, ka ndërruar jetë në urgjencën e spitalit. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjarëve të të ndjerëve.

Situata paraqitet serioze në spitalin infektiv ku aktualisht po trajtohen 87 pacientë, 15 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 2 janë të intubuar.  Lajmi i mirë është se në 24 orët e fundit janë shëruar 48 qytetarë, duke e çuar në 1298 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë. Ndërkohë kanë vijuar testimet në Laboratorin e Virologjisë në ISHP dhe gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 402 testime për të dyshuar të prekur me Covid19, nga të cilat janë konfirmuar 77 raste pozitive.

Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: Tirana 28 raste, Shkodra 13 raste, Durrësi dhe Korça me nga 5 raste; nga 4 raste Delvina dhe Berati; nga 3 raste në Fier, Kurbin dhe Pukë; nga 2 raste në Elbasan dhe Kamëz; nga 1 rast përkatësisht në Krujë, Tropojë, Librazhd, Gjirokastër, Sarandë. Në vendin tonë aktualisht janë 920 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës. Kanë vazhduar testimet serologjike në Laboratorin e Mikrobiologjisë në QSUT. Janë kryer 3380 testime në personel shëndetësor me një pozitivitet të përgjithshëm 6%.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet çdo sipërmarrje turistike dhe të gjithe pushuesve të zbatojnë protokollin e masave anti-Covid19 përgjatë gjithë sezonit. Stafi i shërbimit, në kontaktet me pushuesit / vizitorët duhet të mbajë në mënyrë të domosdoshme maskat mbrojtëse. Në strukturat akomoduese duhet të ruhet distancimi fizik jo më pak se 1.5 metër.

Të zbatohen me rigorozitet masat e pastrimit dhe dezinfektimit në të gjitha zonat bufe, bare, restorante, kuzhina në të gjitha strukturat akomoduese. Të tregohet kujdes në përdormin e ashensorit në strukturat akomoduese që e disponojnë atë, duke respektuar masat e distancimit dhe të higjienës. Të kryhet dezinfektimi i krevateve të plazhit, shërbimeve higjienike dhe aksesorëve të ndryshëm në mënyrë periodike. Të respektohet hapësira midis çadrave dhe ndenjëseve të pushuesve në distancë jo më pak se 3.5 m dhe të evitohen grumbullimet shoqërore.

Kontaktoni nëpërmjet linjës së gjelbër 0800 40 40 për këshillim psikologjik, apo informacion për Covid19. Nëse dyshoni se jeni të prekur duhet të qëndroni të izoluar dhe telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare, 127.

 

Të Fundit