Gjatë javës që lamë pas kemi patur një trend të rritur të rasteve të konfirmuara pozitiv, zgjerim të fashës së moshës së prekur me simptoma të shprehura, shtim të rasteve të hospitalizuara, por kemi pasur edhe humbje jete. Kjo situatë ka reflektuar faktin që kemi ende ndërgjegjësim të ulët për respektimin e masave, por dhe prezencë të virusit me të njejtin nivel trasmetueshmërie. Ndaj Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet qytetarëve, të tregojnë kujdes në ambientet e punës, aty ku ofrohen shërbime dhe në çdo ambient publik, për të respektuar masat e higjienës, distancës fizike, shmangni kontaktet dhe vendosni maskat kur nuk është e mundur të ruhet distanca. Ju njohim më të dhënat e 24 orëve të fundit dhe situatën epidemiologjike në vend. Vijon të ketë shtrime të reja te qytetarëve që kanë nevojë për trajtim spitalor si pasojë e Covid19. Aktualisht në shërbimin infektiv po marrin trajtohen 82 pacientë, 10 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa 1 është i intubuar.
Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 239 testime për të dyshuar të prekur me Covid19 nga të cilat janë konfirmuar 33 raste pozitive, kryesisht raste të reja ne proces hetimi si dhe kontakte të rasteve të konfirmuara më herët pozitive. Shpërndarja gjeografike e të identifikuarve pozitivë në 24 orët e fundit është si vijon: 23 të prekur në Tiranë, 8 në Shkodër dhe nga 1 rast në Pogradec dhe Kamëz. Lajmi i mirë është se në 24 orët e fundit janë shëruar 25 qytetarë, duke e çuar në 1159 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë. Në vendin tonë janë aktualisht 792 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon për vetëndërgjegjësim qytetarët, që të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave të vendosura: për të ruajtur distancën fizike prej 1.5 metër nga njëri tjetri, për të ruajtur higjienën personale dhe për të mbajtur maskat kudo ku nuk respektohet dot distanca. Bizneset të zbatojnë me korrektësi protokollet e sigurisë në punë: të dezinfektojnë ambientet, të kryejnë ajrosjen rregullisht, të përdoren maskat apo barrierat mbrojtëse në çdo subjekt shërbimi për qytetarët, siç e përcaktojnë protokollet e autoriteteve shëndetësore. Shkelja e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezik për jetën dhe shëndetin e të tjerëve. Shmangni çdo lloj grumbullimi, pasi janë rrezik për përhapjen e infeksionit. Familjarët e pacientëve në spitale të shmangin sa më shumë vizitat, kurse të moshuarit kur është e mundur të shmangin kontaktet me qendrat shëndetësore, por të kontaktojnë nëpërmjet telefonit me mjekun e familjes për barnat me rimbursim. Telefoni në linjën e gjelbër 0800 40 40 me mjekun tuaj të familjes, për këshillim psikologjik apo informacion për Covid19. Nëse keni shenja klinike, nëse dyshoni se jeni i prekur me Covid19, eshte e rendesishme te qendroni te izoluar dhe telefononi Urgjencën Kombëtare në numrin 127.