Këto 24 orë kanë shënuar një tjetër rekord të shifrave të koronavirusit në vendin tonë. Ministria e Shëndetësisë raporton se në 24 orët e fundit janë konfirmuar pozitivë 69 persona.
Kjo është dita me numrin më të lartë të të infektuarve, që nga shpërthimi i virusit të rëndë, në fillim të muajit mars. MSH i bën thirrje bizneseve të zbatojnë rigorozisht protokollet e sigurisë dhe apelon qytetarët për masat e kujdesit vetjak pë të frenuar përhapjen e COVID19.
Deklarata e Dr. Eugena Tomini nga Instituti i Shëndetit Publik:
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju informon për situatën epidemiologjike në vend. Gjatë javës së fundit ka rezultuat rritje e numrit të rasteve të identifikuara pozitive, ka një rritje të të shtruarve në spital por qëndrueshmëri sa i takon fataliteteve. Kjo rritje lidhet me uljen e vigjilencës dhe moszbatimin e rregullave të përcaktuara nga autoritetet shëndetësore.
Por duhet theksuar se kjo periudhë nuk mund të krahasohet me periudhën e pikut nën efektin e masave të karantinës, për vetë faktin se kemi kohë më të gjatë ekspozimi dhe numër më të lartë kontaktesh gjatë aktiviteteve rutinë të ditës, ku aktualisht 97 % e subjekteve janë në aktivitet.
Për këtë arsye, duhet kujdes i shtuar për zbatimin e rregullave.
Kanë vijuar me intensitet testimet në Laboratorin e Virologjisë në ISHP. Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 319 testime për të dyshuar të prekur me Covid19, nga të cilat janë konfirmuar 69 raste pozitive kryesisht në ndërmarrje dhe aktivitete biznesi, kontakte të rasteve te konfirmuara më herët pozitive, të identifikuara nga gjurmimi dhe hetimi epidemiologjik, si dhe raste te reja.
Shpërndarja gjeografike e të identifikuarve pozitivë është si vijon: Tirana 28 të prekur, 16 në Shkodër, 8 raste pozitive në Krujë, 6 në Vlorë, 5 në Durrës, 2 në Elbasan, dhe nga 1 rast në Kamëz, Mallakastër, Pukë dhe Lushnje. Ndërkohë që janë në hetim disa raste të reja në Tiranë, Shkodër, Vlorë, Elbasan, Kamëz dhe Durrës.
Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 11 qytetarë mes të cilëve 2 personel shëndetësor, duke e çuar numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë në 1055.
Aktualisht në spitalin infektiv po marrin shërbim 50 pacientë, 7 prej tyre janë në terapi intensive dhe një i intubuar. Mosha mesatare e rasteve të hospitalizuara është 60 vjeç, mbi 60 % e tyre janë nga Tirana. Në vendin tonë janë aktualisht 499 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë.
Nisur nga fakti se ditet e fundit po zbulohen raste pozitive në disa ndërmarrje dhe subjekte tregtare, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën thirrje edhe njëherë bizneseve, të zbatojnë me korrektësi protokollet e sigurisë në punë: të dezinfektojnë ambientet, të kryejnë ajrosjen rregullisht, të përdoren maskat apo barrierat mbrojtëse në çdo subjekt shërbimi për qytetarët, siç e përcaktojnë protokollet e autoriteteve shëndetësore.
Çdo shkelje do të konsiderohet me rrezik për shëndetin e qytetarëve dhe si e tillë do të ndëshkohet sipas ligjeve në fuqi. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon për vetëndërgjegjësim nga qytetarët që të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave të vendosura: Kur dilni, qendroni në distancë fizike prej të paktën 1.5 metër, lani duart, përdorni maska ose barriera mbrojtese kur nuk mund te ruhet distanca fizike, dezinfektoni objektet dhe ajrosni ambientet ku qendroni.
Lidhuni me mjekun tuaj të familjes nëpërmjet linjës së gjelbër 0800 40 40 për barnat me rimbursim apo pyetje në lidhje me Covid19. Nëse keni shenja të sëmundjes, qëndroni të izoluar dhe telefononi Urgjencën Kombëtare, 127.