Tritan Kalo: “Rrini në shtëpi që të mos kemi skenarin e Italisë, katër të sëmurët në reanimacion”

Në një bisedë me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, mjeku i Shërbimit Infektiv prof. Tritan Kalo është shprehur se vetëm përforcimi i masave në vendin tonë dhe ndërgjegjja individuale për të respektuar largimin social, mund të shmangë skenarët e ngjashëm me Italinë për infektimin nga COVID-19.

“Jam shumë dakort për masat e marra për distancimin social, është mirë që janë përforcuar, në mendimin tim mund edhe të pērforcohen më tepër. Sepse është e vetmja mundësi që u tregua efikase në eksperiencën kineze në ngadalësimin e sëmundjes dhe mbi të gjitha për ta shuar atë gradualisht. Nëse do të tregoheshim liberal, siç u treguan fqinjët tanë në Itali, me tej britanikët e spanjollët, kjo do të bëntë të shfaqeshin në vendin tonë skenarë të ngjashëm me to”, tha Kalo.

https://www.facebook.com/OgertaManastirliu/videos/615069262683375/

Duke ju përgjigjur interesit të ministres Manastirliu për gjendjen e të sëmurëve në infektiv, Kalo tha se 4 të sëmurët janë në gjendje mesatarisht të rëndë, por që e kanë të domosdoshme praninë në terapi intensive.

“Të sëmurët në reanimacion janë në një gjendje mesatarisht të rëndë por që e kanë të domosdoshme praninë në mjedise të terapisë intensive, pasi në çdo moment mund të bëhen objekt i ventilimit mekanik”, tha Kalo.

Sa i përket kapaciteteve ne Shërbimin Infektiv Kalo tha se po shtohen kapacitetet, ku aktualisht janë 16 vende që kanë respiratorë.
“Aktualisht është 12+4, plus është dhe një kat i veçantë i cili është parashikuar që 24 poste të jenë tashmë të pajisura për të vendosur ventilatorë në një moment nëse do të kemi shtrirje të formave të rënda të infeksionit tek këta të sëmurë dhe shkon pothuajse tek 36-40 poste të asistencës respiratore brenda strukturës së infektivit. Urojmë që të mbetemi në këto kapacitete për të mirën e njerëzve, pavarësisht se janë parashikuar dhe COVID 2 dhe skenare të tjerë”, tha Kalo.
Ministrja Manastirliu ka vlerësuar frymën e ekipit të Infektivit dhe sakrificën që po bëjnë në shërbim të të sëmurëve me COVID-19.

Të Fundit