KORÇË
Arrestohen dy persona në Korçë për shfrytëzim prostitucioni dhe shpallet një tjetër në kërkim. Po kështu është proceduar në gjendje të lirë për një 41-vjeçare, pronare e lokalit ku shfrytëzohet një e mitur.
Policia e Korçës deklaron zyrtarisht se pas denoncimit të rastit në emisionin investigativ “Stop”, ndalohen dhe procedohen 4 shtetas për veprat penale “Shfrytëzimi i prostitucionit me të mitur” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”.
Specialistët e Seksionit për Trafiqet e Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, duke marrë shkas, nga rasti i transmetuar në datën 15.10.2019, në emisionin investigativ “Stop”, bënë ndalimin e shtetasve Dh. K, 53 vjeç dhe L.D, 33 vjeç.
Gjithashtu shpallën në kërkim shtetasin R.T, 19 vjeç, banues në Korçë, si edhe filluan procedimin penal në gjendje të lirë ndaj shtetases K.K., 41 vjeçe, banuese në fshatin Boboshticë, Korçë, pasi në bashkëpunim mes tyre, kanë shfrytëzuar për prostitucion një shtetase të mitur, në lokalin e 41-vjeçares.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës të Shkallës së Parë Korçë për veprime të mëtejshme.