“Historia ime nis që në vitin 2007. Jam martuar me Sejat Olldashin. Gjatë martesës kanë lindur dy fëmijët, Eno dhe Ersi Olldashi. Kemi patur mosmarrëveshje me ish – bashkëshortin dhe kemi vendosur që të ndahemi. U largova dhe kam marrë vetëm djalin e vogël se djali i madh ishte në shkollë”, rrëfeu denoncuesja.
Më datë 15 Shtator 2017, pasi përmbarimi ekzekutoi vendimin për kthimin e djalit tek e ëma, Sejat Olldashi iu drejtua shtëpisë së saj dhe e tërhoqi zvarrë të birin, duke e marrë sërish me vete në fshatin Grazhdan, ku ai jeton.
“Më mungon shumë. Unë kërkoj të bashkohem me vëllain tim…”, tha djali i tyre 4 – vjeçar, Ersi.
Gazetarja e emisionit “Stop” komunikoi me avokaten e denoncueses, Margarita Kolën, e cila tregoi se pavarësisht vendimit të gjykatave dhe ndërhyrjes së policisë dhe Përmbarimit, Eno Olldashi vazhdon të qëndrojë me të atin.
“Jemi në një proces penal paralelisht, ku personi Sejat Olldashi akuzohet për veprën penale “pengim të veprimeve përmbarimore”, u shpreh avokatja.
Këtë e aprovoi edhe kryetarja e Zyrës Përmbarimore Shtetërore Elbasan, Merita Tirana, e cila tha se ish – bashkëshorti i Behije Feimit i janë lënë disa takime, por nuk është paraqitur asnjëherë me fëmijën.
“Pra ky titull ekzekutiv nuk është ekzekutuar pasi bëhet pengesë babai i fëmijës”, shtoi kryetarja Tirana.
Gazetarja e emisionit “Stop” iu drejtua fshatit Grazhdan për të komunikuar me Sejat Olldashin, ish – bashkëshortin e Behije Feimit, në lidhje me mosdorëzimin e fëmijës 9-vjeçar te e ëma.
Gazetarja – Unë jam gazetare e emisionit “Stop”.
Babai – S’më intereson!
Gazetarja – Dhe kam 2 vendime gjykatash.
Babai – S’më intereson! Shko zgjidhe ku të duash!
Gazetarja – Që kujdestaria i takon nënës.
Babai – Edhe?
Gazetarja – Dhe Enon e mbani juve. Pse?
Babai – Urdhëro, pyete Enon, foli!
Gazetarja – Eno është 9 vjeç, është fëmijë. Deri në moshën 18 vjeç nuk mund të pyetet, s’e ka të drejtën e…
Babai – Dhe sipas asaj, çfarë?
Gazetarja – Po të pyesim ty, pra!
Babai – Ja pra, nuk do të shkojë! Nuk e do nënën se s’është nënë, por është thjesht një femër që di të pjellë dhe kaq! Kjo është arsyeja e gjithë, se s’është nënë!
Gazetarja – O zoti Sejat unë për ty kam ardhur, mos ik andej tani, kot! Kur unë t’u prezantova, ti ike, unë këtu kam 2 vendime gjykatash…
Babai – Po ç’më duhet mua?!
Gazetarja – Kam Gjykatën e Elbasanit…
Babai – Ti je ajo që zbaton vendimet e Gjykatës?
Gazetarja – Jo, është përmbaruesi.
Babai – Po, shumë bukur!
Gazetarja – Po ty të ka ardhur përmbaruesi me procesverbal dhe ti ke ikur, i ke fshehur djalin!
Babai – Kush të tha që kam ik?
Gazetarja – Po ja mo, këtu është.. është procesverbali, që është mbajtur nga përmbaruesi.
Babai – Shko zgjidhe, ku të duash!
Gazetarja – Po mirë, ti tani duhet ta kishe dorëzuar fëmijën që në Shtator, që kur të erdhi…,të ka ardhur 2 herë përmbaruesi.
Babai – Nuk është gardh që ta dorëzoj unë. E di vetë ai çfarë bën!
Gazetarja – Po është gjykata, po nuk e di ai se ai është 9 vjeç!
Gazetarja – Eno…Eno unë fola me Ersion, me vëllain tënd të vogël dhe e kishte marrë malli! Eno, Eno të ka marrë malli për vëllain e vogël? Hë mo, ktheje kokën! Të ka marrë malli për vëllain e vogël?
Më datë 26 Prill, denoncuesja mundi të takonte djalin e saj 9 – vjeçar në Zyrën Përmbarimore, por reagimi i tij nuk ishte i pritshëm.
“Djali nuk m’u afrua fare se është shumë i kërcënuar nga ish – bashkëshorti. Nuk e takoj mamin tha, mos më flisni për asgjë”, tregoi e përlotur Behija.
Ndërsa vetë Eno duke komunikuar me gazetaren e emisionit “Stop” u shpreh se nuk dëshiron të jetojë me të ëmën, pasi ajo e dhunon.
Gazetarja – Pse nuk ikën te mami?
Eno – Sepse ajo më rreh. Nuk dua që të shkoj!
Gazetarja – Nuk të ka marrë malli për vëllain?
Eno – Për vëllain më ka marrë.
Gazetarja – Sa ke pa e parë?
Eno – Që në Shtator.
Gazetarja – Ti do rrish dhe te babi dhe te mami?
Eno – Jo, do ta takoj unë në Gramsh. Do ta marr mamin në telefon dhe do t’i them.
Gazetarja – Po çfarë ke me mamin?
Eno – Nuk e dua sepse më rrihte.
Gazetarja – Ke frikë nga babi, prandaj nuk shkon ta takosh mamin?
Eno – Jo, s’kam frikë. Ai më ka thënë: “Nëse do, shko”.
Gazetarja – Ti je aq i vogël sa nuk e di se çfarë do.
Eno – Por e di se kur dua ta takoj e takoj.
Gazetarja – Nuk të vjen gjynah për mamin që e sheh duke qarë?
Eno – Jo, fare!
Gazetarja – Pse e ke kaq inat mamin?
Eno – Sa herë duhet ta them? Më rrihte!
I ati, që ndodhej aty gjatë gjithë bisedës, u shpreh se përgjigjet e Enos janë arsyeja se përse nuk i respekton vendimet e gjykatave. Por Behija tha se ish – bashkëshorti i saj po e zvarrit procesin, pasi pret që të Eno të mbushë 10 vjeç dhe të vendosë se me kë dëshiron të qëndrojë. Ndaj ajo i bëri thirrje shtetit që ta ndihmojë në mënyrë që të bashkohet me të birin, pasi është e drejta e saj ligjore dhe se i do të dy fëmijët.