STOP – EMISIONI 19 (SEZONI 3)

Banorët e “Ali Demit”, dy vjet kërkesë për një lulishte..!
Banorët e lagjes “Ali Demi” në Tiranë tregojnë në “Stop”, se kanë që në vitin 2015, që i kërkojnë bashkisë mirëmbajtjen e lulishtes së tyre, por nuk kanë një reagim.Gazetarja e emisionit iu drejtua përgjegjësit të Drejtorisë së Gjelbërimit dhe Pastrimit Nevret Jahollari. Ky i fundit tha, se deri tani kanë qenë zona të tjera prioritare për mirëmbajtjen e lulishtes. Por sipas tij, në muajin tetor kjo drejtori do të plotësojë kërkesën e banorëve të lagjes “Ali Demi”.

“E ashtuquajtura” shkollë e Dritasit-Zallherr, mësim mes mykut e lagështirës.

Gati një muaj nga fillimi i vitit të ri shkollor, shkolla 9 – vjecare në Dritas, Zallherr është e mbuluar nga myku e lagështira. Prindërit e fëmijëve thonë se e kanë ngritur shumë herë shqetësimin e kushteve të papërshtatshme të mësimit, por asnjë masë nuk është marrë. Edhe në kopshtin e Dritasit, situata është e njëjta, lagështi, myk, godina të rrënuara e mungesë mjetesh për t’u ngrohur.

Drejtoresha e shkollës, Farie Selimi thotë se prej vitesh në këtë shkollë nuk është vënë dorë edhe pse për këtë i është drejtuar Zyrës Arsimore Kamëz. Në ZAK, drejtoresha Ermioni Cekani tregon se në sa dyer e zyra e ka përcjellë kërkesën për rregullimin e shkollës së Dritasit. Pas interesimit të emisionit “STOP”, në shkollën dhe kopshtin e Dritasit nisin punimet për ta kthyer në institucion normal mësimdhënieje.

“Kushte skandaloze! Kemi bërë letra, kemi bërë kërkesa dhe asnjë gjë nuk bëhet”, shprehet prindi i një nxënësi të shkollës 9 – vjecare në Dritas – Zallherr.

Gjithashtu një nxënëse thotë: “Nuk janë kushtet shumë të mira. Nuk ngrohemi, vishemi trashë nga shtëpia, pikojnë klasat”.

“Shteti nuk na ka dhënë shumë fonde për shkollën tonë”, u shpreh një nxënës tjetër.

Por edhe kopshti është në kushte skandaloze, pasi gjendet në katin e parë të një vile të vjetër, të mbuluar nga myku dhe lagështira.

Edukatorja tregon se ngrohja bëhet nëpërmjet një sobe të vogël me dru, pasi energjia elektrike ndërpritet shpesh.

Drejtoresha Farie Selimi shprehet se e ka vënë në dijeni Drejtorinë Arsimore për kushtet e shkollës dhe kopshtit që janë të amortizuara dhe që nevojitet rikonstruksioni.

Gazetarja e emisionit “STOP” iu drejtua ZAK-së për të komunikuar me drejtoreshën e saj, Ermioni Cekanin, e cila tha se është në dijeni të problemit të shkollës dhe kopshtit prej 3 vitesh.

“Tarraca e shkollës ka probleme, hapësirat janë të pamjaftueshme, ka probleme lagështire etj, etj. Rikonstruksioni i shkollave është kompetencë e Njësive Arsimore Vendore. I kemi njoftuar jo vetëm nëpërmjet shkresave, por kemi organizuar dhe tryeza të përbashkëta për probleme të infrastrukturës në shkollat dhe kopshtet tona”.  

Drejtoresha Cekani liston institucionet, të cilave i janë drejtuar me shkresa për kushtet e shkollës dhe kopshtit, ndër to përmend edhe Bashkinë e Tiranës. Përgjigjia që kanë marrë ka qenë pozitive, pra do të rikonstruktohen. Por ende nuk ka nisur asnjë proces rikonstruksioni, ndaj të gjithë kanë ngelur në pritje me shpresën se do të nisë.

Ermioni rrëfen se faktikisht kërkesa e tyre ka qenë për ndërtimin e një shkolle të re në Zallher.

Por pas interesimit të emisionit “STOP” nisi rikonstruksioni i shkollës dhe kopshtit Dritas nga Bashkia Tiranë pët ta bërë një institucion normal mësimdhënieje.

Raporti i arsimtares në Elbasan, drejtoresha nuk njeh dokumentin e QSUT-së.
Lindita Selimi, një arsimtare në shkollën “Ptoleme Xhuvani” në Elbasan tregon në “Stop”, se për arsye shëndetësore e familjare, u detyrua të mos paraqitej 6 ditë në punë, mungesë, që e justifikoi me një raport mjekësor nga një vizitë në QSUT.Por kur kthehet në punë përballet me faktin, se drejtoresha e shkollës, Ilda Nako, nuk ia njeh raportin, e për pasojë nuk e paguan.Pasi interesohet edhe në DAR-Elbasan dhe sërish nuk merr zgjidhje, e vetmja shpresë i mbetet emisioni “Stop”. Pas një interesimi në QSUT, nëse raporti i zonjës Lindita Selimi, përgjigja zyrtare është, që raporti i saj është lëshuar konform ligjeve e rregullave.

Dialogu i zbardhur…
Mësuesja: Drejtoresha! Të kam sjellë një shkresë zyrtare për problemin e raportit.
Drejtoresha: Ka mundësi të dalësh jashtë, se kam…, jam duke e hetuar raportin.
Mësuesja: Si?
Drejtoresha: Jam duke e hetuar, duke e hetuar.
Mësuesja: Po ke pas kohë, për ta hetu, sepse ke, që në datën 10 korrik, që raportin e ke marrë.
Drejtoresha: Jam marrë me ju më shumë, seç duhet të merrem. Të lutem më lër në punët e mia!
Mësuesja: Përse je marrë me mu? Sepse më le pa punë, pa orë…
Drejtoresha: Dhe dil jashtë!
Mësuesja: Jo, të lutem më jep përgjigje.
Drejtoresha: E para: duhet të kesh kujdes kur flet me mu, sepse po kalon të gjitha caqet.
Mësuesja: Çfarë caku?
Drejtoresha: Ke arritur të më kërcënosh psikologjikisht dhe fizikisht.
Mësuesja: Absolutisht! Unë apo ti? Sa muaj më le pa rrogë?!
Drejtoresha: Jam drejtoresha e kësaj shkolle dhe nuk të pranoj në zyrën time, derisa ti të rregullosh sjellje.
Mësuesja: Jo me! Do të jap raportin nga QSUT-ja. Mu s’ma jep njeri atë, që kërkon ti. Ajo thotë aty: raport nga QSUT-ja, me, po janë tre vula.
Drejtoresha: Atë e ke shkruar ti, e ke shkruar ti me dorën tënde.
Mësuesja: Po mirë, më hidh në gjyq!
Drejtoresha: Mos bërtit kaq shumë! Jam duke u marrë me dokumenta më të rëndësishme, se ty.
Mësuesja: Jam punonjëse e kësaj shkolle, e kësaj zyre dhe ti duhet të më japësh të drejtën e informimit! Ke të drejtë të më informosh, ma jep me shkrim!
Momenti kur Drejtoresha mer policinë në telefon.
Drejtoresha: Përshëndetje! Jam drejtoresha e institucionit “Ptoleme Xhuvani” Elbasan. Kam një zonjë, që po më shqetëson në detyrë.
Mësuesja: Jo, nuk po të shqetësoj, po të kërkoj të drejtën e raportit.
Vjen policia në drejtori shoqëron drejtoren dhe mësuesen
Drejtoresha: Është mësuese e këtij institucioni. Nuk pranon të dalë nga zyra, pa bërtitur e pa ulëritur. Në datën 24 ka ardhur në zyrë, më ka ulëritur, më ka kërcënuar në mënyrë psikologjike dhe jashtë më ka kërcënuar në mënyrë fizike, duke thënë, që do të më shkulë flokët e do të më shtrijë përdhe. Kjo është një mësuese, unë jam një drejtuese.
Momenti kur futen në makinën e policisë së shtetit
Drejtoresha: Po unë s’mund të ulem me një njeri, që më kërcënon.
Mësuesja: Kërcënimin duhet ta kesh të filmuar, që të thuash.
Drejtoresha: Nuk e kam të filmuar, e kam të dëgjuar nga personat kompententë.
Polici: Se neve në punën e shtetit, nuk jemi për të nxjerrë inatet personale.
Drejtoresha: Jo, mbas kallzimit, që unë do bëj, zonja pezullohet direkte nga puna.

Të Fundit