Tre tenorët “pushtojnë” studiot e TV, parlamenti mblidhet në cadër.
Tre krerët e politikës shqiptare pushtojnë sot ekranet.Rama, Meta e Basha janë njëkohësisht në 3 studio të ndryshme televizive. Në cadrën e lirisë u mblodh, si cdo të enjte, grupi parlamentar demokrat. Takimi u mbyll me shprehjen e Eduard Halimit “kjo ishte seanca për sot”. Një qytetar sjell në “Stop” masakrën mjedisore, që shkakton një gurore në qytetin e Sarandës.
Skandali, ndërtuesja Hoxholli kërkon nga banorët para shtesë për hipotekën.
Banorët e një pallati në zonën e Freskut ankohen në “Stop”, se edhe pse kanë paguar të gjitha detyrimet financiare, nuk arrijnë të marrin hipotekën e shtëpisë, pasi firma “Jon shpk” kërkon para shtesë. Adiministratorja Vjollca Hoxholli thotë, se ka bërë ndryshime në punimë, ndaj banorët duhet të paguajnë 10 euro për metër katror.Kreu i Shoqatës së ndërtuesve Maksim Muci, shpjegon, se për cdo ndryshim në pallat duhet të ketë një kontratë të firmosur nga banorët nga firma.”Stop” përball fillimisht banorët me zonjën Hoxholli e më pas me avokaten e saj Doriana Deraku. Por deklaratat e të dyjave janë kontradiktore, lidhur me pagesën shtesë të banorëve.
“Administratorja e pallatit kërkon që ne të paguajmë nga 10 euro për metër katror sepse ka bërë disa ndryshime në ndërtimin e dyerve të ballkoneve. Në kontratë i kemi pasur me duralumin, ajo i paska bërë me plastikë. Ne kemi paguar lekët, kërkojmë një çertifikatë pronësie që është detyrimi i saj, në bazë të neneve përkatëse. Të paguajmë detyrimet noteriale dhe hipotekore që i takojnë porositësit dhe të marrim Hipotekën”.
Administratorja Vjollca ka rritur sipërfaqen e shtëpisë së një prej banorëve të pallatit në çertifikatën e pronësisë, nga 88 metër katror së bashku me hapësirat e përbashkëta në 101 metër katror.
“Leje që mua ma kanë ndërruar është hyrja e tretë që jam futur, pothuajse me zor, me lekët e paguara. Porosia është bërë që në 2006. Kjo kërkon edhe për Hipotekën të paguajmë 10 euro për metër katror”.
Vjollca Hoxholli nuk i është përmbajtur kontratës që ka lidhur me banorët e pallatit.
“Ne do të marrim vetëm Hipotekën e pallatit dhe do të paguajmë detyrimet që na takojnë në shtet, tjetër nuk kemi pse të paguajmë. Ajo nesër mund të nxjerrë pretendime të tjera!”
Banorët kur kanë hyrë në shtëpitë e tyre, pallati ka qenë i papërfunduar dhe ata janë detyruar të ndërhyjnë në rregullimin e tij.
“Unë kam të gjithë faturat e blerjeve të materialeve që janë bërë për pallatin. Unë kam komunikuar me zonjën Vjollca vetëm me telefon dhe më ka thënë që do t’ju paguajnë. “Kush je ti që je përzgjedhur përgjegjës pallati, administrator në pallatin tim?”- ka thënë ajo. Ajo akoma vazhdon ta quajë pallatin e saj!”
Kreu i Shoqatës së Ndërtuesve, Maksim Muçi u shpreh se taksat në Hipotekë janë të ndara në dy grupe, një pjesë është taksa e kalimit të pronësisë, që paguan edhe firma edhe qytetari kur shet pronën dhe tjetra është shpenzimi administrativ të regjistrimit, të cilën e paguan qytetari që e blen apartamentin.
“Unë rekomandoj që këtë pagesë prej rreth 200 mijë lekësh të vjetra ta bëjë vetë qytetari dhe jo t’ia lejë firmës. Neqoftëse janë bërë punime shtesë në pallat duhet t’i paguajnë banorët, por duhet të jetë bërë një marrëveshje, në të kundërt ose ai nuk ka detyrim ta paguajë ose ta heqë atë punimin shtesë.”
Kamera e fshehtë e emisionit “STOP” shkoi në zyrën e noteres që ka përpiluar kontratat.
Qytetarja – Tani meqenëse je notere, ma interpreto pikën 1.4.
Noterja – E ka marrë përsipër ajo.
Qytetarja – Po pra, Vjollca. Si i bëhet?
Noterja – Do ta gjesh me gjyq, që ka marrë përsipër Vjollca dhe ta ashtu… dhe sa ka paguar.
Noterja – Alo, Vjollca. Përshëndetje! Kam këtë zonjën këtu që kemi biseduar, një Liljana Shehu.
Vjollca – Po. 1000 euro ajo.
Noterja – Pa sipërfaqe të përbashkëta ë? Është 106.5 dhe sipërfaqja është…
Vjollca – Me sipërfaqje ajo…
Noterja – Po, 106.5 pa sipërfaqje do paguajë kjo.
Vjollca – Po.
Noterja – Jo, s’është ajo tjetra. Është Liljana, kjo që folëm mbrëmë.
Vjollca – 1000 euro, mirë?
Noterja – 1000 euro. Mirë, ciao. 1000 euro tha.
Noterja – Po qe se ashtu, në moment unë përgatis kontratën, të vijë të firmosë Vjollca, të firmosni juve, ta çojmë direkt në Hipotekë, që mos të keni edhe ato pjesët që mund të dalin mbrapa.
Qytetarja – Do t’i çoni ju në Hipotekë?
Noterja – Po, po.
Gazetarët e emisionit “STOP” u ballafaquan me Vjollca Hoxhollin për pagesën prej 1000 eurosh, që i kërkoi Liljana Shehut për çertifikatën e pronësisë së apartamentit, por ajo e mohoi këtë fakt dhe u shpreh se do t’ua japë çertifikatat e pronësisë banorëve pa pagesën prej 1000 eurosh.
“Janë shpenzimet e Hipotekës, shpenzimet e noterisë dhe të gjithë dritaret, që në kontratë i kanë patur duralumin dhe ne ua kemi bërë plastikë dhe dopio xham. Dhe ua kemi sqaruar të gjithëve që do t’i paguani në fund, kur të bëni hipotekat.”
Gazetarja – A e dini që kur bëhët një ndërhyrje e re në material bëhet një kontratë me banorët?
“Po e bëjmë! Por shtesat i kam bërë unë ama, me lekët e mia. Kush do t’i paguajë këto lekë? E bëjmë kontratën, pa merak! Të gjithë faturat, që nga Hipoteka te noteria dhe të gjithë shpenzimet që ka për llogari të dritareve që kanë qenë duralumin dhe janë kthyer në plastikë dhe në dopio xham. Këto janë!”
Avokatja e Shoqërisë “Jon SHPK”, Doriana Doraku thotë se çdo individ që ka lidhur kontratë sipërmarrjeje me këtë shoqëri, të cilët kanë këstin e fundit pa paguar dhe detyrime të pa paguara, sipas nenit 6 që janë të parashikuara në kontratat e sipërmarrjes duhet të bëjnë pagesën, në mënyrë që të bëhet kalimi i pronësisë nga porositësi tek sipërmarrësi.
Gazetarja – Për sa i përket shtesave që Vjollca pretendon që ka bërë, a duhet t’i paguajnë banorët këto shpenzime?
“Shoqëria “Jon”, në bazë të ligjit dhe të Kodit Civil ka të drejtat ligjore t’i drejtohet gjykatës, në lidhje me shpenzimet e tepërta që janë bërë. Ose do t’i bëjmë duralumin, ashtu siç kanë qenë.”
Banorët thonë se këto ndryshime kanë ndodhur pa dijeninë e tyre dhe se në pallat ka shumë mangësi të tjera, si ajrosja, shkallët, dera, ashensori, tarracat që pikojnë etj.
“Ka shumë mangësi dhe këto janë zero për mendimin tim. Është turp që t’i zejë në gojë! I zoti e shet, tellalli s’e jep! Shteti e jep, Vjollca s’e jep!”, shprehet një banore për mikrofonin e “STOP”.
Banorët thonë se duan që t’i ndryshohen dyert e ballkoneve nga plastikë dhe dopio xham që janë bërë në duralumin, siç kanë qenë në kontratë, e të marrin dokumentet e Hipotekës.
Sëmundja e rrallë e 3 vjecarit, “Stop” siguron aparatin e oksigjenit.
Adela Hyseni është një nënë e re 20 – vjeçare, që po përballet me një situatë të vështirë. Ajo ka një djalë 3 – vjeç me sëmundje të rrallë, që as ha, as pi e as lëviz. Adela tregon se e ushqen të birin përmes një tubi dhe i vogli ka nevojë gjithë kohës për oksigjen. Emisioni “STOP” i siguron familjes Hyseni aparatin e oksigjenit dhe një krevat ortopedik.
“Unë quhem Adela Hyseni dhe jam 20 – vjeçe. Problemi ime ka të bëjë me djalin tim, i cili quhet Joel. Ai lindi me probleme dhe është me diagnozën encefalopati. Djali as nuk ecën, as nuk flet, as nuk qëndron ulur, madje ai prej muajit Dhjetor ka qenë në spitalin “Nënë Tereza”. Joeli ka bërë një operacion dhe nuk ushqehet më nga goja sepse ka patur probleme me përtypjen dhe nuk e kuptonte se si do të ushqehej nga goja dhe ushqehet nëpërmjet një tubi që ka në bark. Për sëmundjen e djalit tim duhet aparati i oksigjenit, një aspirator dhe një aparat avulli. Nëse është e mundur dhe një krevat ortopedik. Djalin e mbajmë me jastëk dhe gjatë gjithë natës më rrëshket, gjë që bën që sekrecionet të mund të ngjiten lartë dhe t’i bllokojnë frymëmarrjen. Ju lutem, nëqoftëse keni mundësi mund të ma bëni këtë nder, sepse edhe unë dua që djali im të ketë kushtet si çdo femijë tjetër.”
I ati i Joelit thotë se punon në Kombinat në Tiranë dhe rroga e tij është 220 mijë lekë të vjetra. Ai kërkon sensibilizimin e të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen që të ndihmojnë djalin e tyre, Joelin.
Emisionit “STOP” i siguroi familjes Hyseni apararatin e oksigjenit, aparatin e aspirimit, si dhe krevatin ortopedik. Adela thotë se Joeli është përmirësuar dhe nuk ka më sekrecione, siç ka patur.