Britania braktisi BE-në, Kombëtarja shqiptare në atdhe.
Këtë mëngjes u mësua rezultati i referendumit britanik për qëndrimin nga BE-së dhë 52% e britanikëve votuan që të linin unionin.Një ditë më parë kombëtarja shqiptare e futbollit mbërriti në atdhe dhe u prit me një ceremonial të vërtetë shtetëror, ku protagonistët e vërtetë të festës, u bënë politikanët. “Stop” ka sjellë pamje nga pritja që lideri i Koresë së Veriut, i bën kombëtares së tij të futbollit.
Banorët e Selitës pa dëmshpërblime, familja Pema në mes të katër rrugëve.
Banorët e Selitës ankohen, se projekti i ri i rrugës u ka shembur shtëpitë. Ata thonë, se janë me certifikata pronësie, por nuk po dëmshpërblehen, ose masa e dëmshpërblimit është qesharake.Përgjegjësi i punimeve tregon, se banorëve u është kërkuar të ndërhyjnë vetë, që të mos u prishen portat apo të tjera objekte. Ndërsa Violeta Kika, kryetare e njësisë administrative numër 5 deklaron, se të gjithë ata që kanë certifikata të rregullta pronësie, do të dëmshpërblehen. Rasti më i dhimbshëm është ai i familjes Pema, që banonte në rrugën “Frank Bardhi” derisa INUK i prish shtëpinë, pasi aty do të bëhej rruga. Drita Pemës i akordohen 1 milionë lekë si dëmshpërblim për 15 metra katrorë, por ajo nuk i tërheq, duke pretenduar, se kishte 30 metra katrorë. Zonja në fjalë ka një djalë 19 vjec me probleme autizmi, por tani ka mbetur në mes të katër rrugëve dhe po banon tek i vëllai.
Vendimet “coroditëse” të gjykatave tona.
Një qytetar nga Kruja ka marrë në dorë një vendim të gjykatës së rrethit, që i referohet një tjetër vendimi pa lidhje me të. Mexhit Kalaja tregon verdiktin e gjykatës dhe “Stop” verifikoi, se vendimi referues i përket qytetares nga Korca Dashuri Toska, të cilën Mexhiti as që e njeh. Edhe në rastin e Skënderie Gorçes, gjykata ka dhënë vendim absurd për pronën e tij të legalizuar. Vec avokatit të tij Shkëlqim Spaho, ekspertit të Kushtetutës Clirim Gjata, edhe zyra e BE-së në Tiranë i ka dhënë të drejtë qytetarit.