Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave nëpërmjet dokumenteve solli sot në kujtesë se më 7 dhjetor të vitit 1927, kreu i Misionit Arkeologjik Italian në Shqipëri, Luigi Maria Ugolini u dërgoi një letër autoriteteve shqiptare, duke i informuar se synonte të eksploronte Butrintin gjatë vitin 1928.
Puna me gërmimet e kryesuar nga Ugolini filloi atje në shkurt të vitit 1928 deri në vitin 1936, dhe mbas vdekjes së tij punimet i vazhdoi P. Markoni dhe më vonë D. Mustilli deri në vitin 1940.
Hulumtimet e çuan Ugolinin edhe drejt Finiqit, qytetit antik të Foinikes në afërsi të Butrintit. Nga gërmimet u zbuluan pjesët kryesore të teatrit, së bashku me një grup statujash fine, baptisterin e antikitetit të vonë dhe shumë monumente të tjera.
Siti arkeologjik i Butrintit se bashku me parkun natyror që e rrethon atë është monument kulture dhe trashëgimi botërore e mbrojtur nga UNESCO, që prej vitit 1992.