77-vjetori i NATO-s, Begaj: Shqipëria, partner i palëkundur në sigurinë euroatlantike

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka uruar NATO-n me rastin e 77-vjetorit të krijimit të Aleancës, përmes një postimi në rrjetet sociale.

Kreu i Shtetit e cilëson NATO-n si një nga arritjet më të rëndësishme të bashkëpunimit ndërkombëtar, të ndërtuar mbi besimin dhe solidaritetin për garantimin e lirisë, sigurisë dhe mbrojtjes së përbashkët.

“Prej 77 vitesh NATO është një nga arritjet më të rëndësishme të bashkëpunimit ndërkombëtar, një Aleancë e ndërtuar mbi besimin dhe solidaritetin për garantimin e lirisë, sigurisë dhe mbrojtjen e përbashkët”, shprehet Presidenti Begaj në mesazhin e tij.

Ai nënvizon se NATO vijon të mbetet simbol i unitetit dhe përgjegjësisë kolektive, duke mbrojtur vlerat demokratike dhe duke forcuar sigurinë euroatlantike.

Duke u ndalur te roli i Shqipërisë, Presidenti thekson se vendi ynë prej 17 vitesh është anëtare e denjë e Aleancës, duke kontribuar aktivisht në ruajtjen e paqes dhe sigurisë.

“Rritja e buxhetit të mbrojtjes, si dhe kontributi aktiv në misione e operacione të NATO-s janë dëshmi e përkushtimit tonë të palëkundur ndaj vlerave të përbashkëta”, thekson ai.

Presidenti Begaj riafirmon angazhimin e Shqipërisë për të qëndruar një partner i besueshëm dhe i palëkundur i NATO-s, në shërbim të stabilitetit dhe sigurisë së përbashkët.

Të Fundit