Një grua ka mbetur e plagosur me thikë mbrëmjen e së dielës në qytetin e Elbasanit. Policia bën të ditur se ngjarja dyshohet të jetë kryer nga ish-bashkëshorti, i cili është vënë në pranga nga policia.
Personi i arrestuar është shtetasi me iniciale A. B., ndërsa ngjarja ka ndodhur në rrugën “Tomorr Sinani”. Jo larg nga vendi i ngjarjes, policia ka gjetur edhe thikë me të cilën është kryer krimi.
48-vjeçarja është dërguar në spital dhe mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
“Plagosi me mjet prerës për motive të dobëta ish bashkëshorten e tij, kapet dhe shoqërohet në Polici 53-vjeçari.
Sekuestrohet mjeti prerës të cilin autori e kishte hedhur në një kopsht në afërsi të vendngjarjes.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan pas marrjes së njoftimit se një shtetase ishte dëmtuar me mjet prerës, në rrugën “Tomorr Sinani”, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje.
Shërbimet e Policisë kanë identifikuar, kapur dhe shoqëruar në Polici autorin e dyshuar shtetasin A. B., 53 vjeç, banues në Elbasan.
Ky shtetas dyshohet se rreth orës 21:15, për motive të dobëta, ka plagosur me mjet prerës (thikë), ish bashkëshorten e tij, 48 vjeçe, e cila ndodhet në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Policia gjeti të fshehur në afërsi të vendngjarjes mjetin prerës, i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit”, njofton policia.