Çdo ditë, në gjykatën e Durrësit hapen dosje të reja divorci.
Rreth 500 kërkesa për zgjidhje martese janë paraqitur deri tani, ndërsa viti nuk ka përfunduar ende. Një vit më parë u regjistruan 727.
Mes tyre janë dhe martesat fiktive që bëhen vetëm për përfitime ligjore.
“Një pjesë e madhe janë martesa me natyrë fiktive, që kanë të bëjnë me përfitimet nga ligji, Kodi i familjes, neni 57 i tij, ku lidhin një martesë për të siguruar ndryshimin e mbiemrit, për të udhëtuar jashtë vendit”, shprehet Kreshnik Poga, avokat.
Sipas avokatëve, duhet një ndërhyrje urgjente në ligj, për të frenuar këtë fenomen. Ndërkaq faktorët e tjerë që çojnë në divorc janë kryesisht socialë.
“Janë kryesisht martesa të reja që përfundojnë shpejt pa ose me fëmijë të mitur që sjellin pasoja të rënda. Shkaku kryesor i ndarjes nuk është kryesisht ekonomik, po marrëdhëniet me familjarët e tjerë që ndërhyjnë në marrëdhwniet e çiftit. Është dhe dhuna në familje…“, shton më tej avokati.
“Mënyra si rritesh dhe mungesa e edukatës që është e plotë në çdo gjë”, shprehet një qytetar.
“Te ne në Kosovë ka më pak, po dhe atje po rriten. Ka shumë faktorë.”, thotë një tjetër.
Ndikimi i rrjeteve sociale shihet gjithashtu si problem në komunikimin mes partnerëve, po cili është çelësi për të qëndruar bashkë?
-“Respekti i ndërsjelltë, sinqeriteti.”
-“Respekti nga unë për partnerin dhe ai më shumë për mua.”
– “Të jetojnë realitetin, jo Instagramin”, shprehet një çift.
Ndërsa kërkesat për divorc rriten dhe gjykata mbingarkohet, qytetarë dhe ekspertë theksojnë se më shumë edukim për marrëdhëniet në çift dhe më pak iluzione nga rrjetet sociale do e mbajnë në këmbë institucionin e martesës.



